Topi Me pak tensione me shume bisedime mes paleve
Presidenti Bamir Topi i ka bashkangjitur urimit për Krishtlindjet edhe mesazhin për politikën për të ulur tensionet dhe nisur bisedimet. Mesazhi i kreut të shtetit vjen në kohën kur dy partitë më të mëdha në vend ndodhen në proces negociatash, përfundimi i të cilave do të vendosë edhe vazhdimësinë e klimës politike. “Ka më shumë mesazhe për paqe, për qetësi, por besoj që mesazhi që vjen natyrshëm për shoqërinë tonë është – më pak tension. Më shumë mirëkuptim, më shumë marrëveshje, sepse gjërat e mira bëhen së bashku dhe gjërat e mira natyrisht që bëhen kur jemi në harmoni siç ndodh në familje”, tha Presidenti Topi.
Festimet për Krishtlindjet nisën që në mesnatë, me besimtarët të cilët kremtuan lindjen e Krishtit në Kishën Ortodokse Autoqefale.
Më tej, pas vizitës në Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, Presidenti Topi u shpreh: “Dëshiroj edhe nga kjo seli t’u uroj besimtarëve të krishterë dhe këtu specifikisht besimtarëve katolikë, Krishtlindjet, këtë ditë të madhe! Sikurse e kam thënë, edhe sot e kam thënë dhe e ripërsëris, që është vërtet një festë specifike për të krishterët, por që festohet nga të gjithë. Është një popull i mrekullueshëm që ka ditur ta mbajë të gjallë këtë traditë, ta ushqejë dhe jam i bindur që kështu do të jetë edhe e ardhmja. Ne do të festojmë të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit, jo duke na i imponuar njeri, por ky është një virtyt, është një gjë shumë natyrale, që e kemi trashëguar jo thjesht nga institucionet – e kemi trashëguar nga familjet”. Nuk është hera e parë që kreu i shtetit përdor gjuhën indirekte për t’iu drejtuar politikës shqiptare, e cila jo si rrallëherë shkakton probleme që tejzgjasin proceset, nuk prodhojnë zgjidhje, madje lënë edhe shqiptarët me orë të tëra pa gjumë përballë ekranit të televizionit për të dëgjuar show-n e radhës së politikës. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Bamir Topi përmendi edhe mesazhin që mori nga Shenjtëria e tij, Papa Benedikti XVI, i cili nëpërmjet këtij mesazhi të ngrohtë ka paraprirë pikërisht fillimin e një viti, që do të jetë Viti i Paqes dhe që do të inaugurohet në janar. “Dhe ne jemi absolutisht shumë të motivuar që t’i shërbejmë paqes. Kjo është arsyeja që edhe në Ballkan, që gjithmonë ka qenë i trazuar, sot ne konsiderohemi si një vend, i cili është promotor i paqes. Kështu që ta gëzojmë këtë ditë. Urimet më të mira për të gjithë besimtarët, për të gjithë popullin shqiptar”, përfundoi fjalën e tij, Presidenti Topi.