Berisha ultimatum vendorëve: Të ulen taksat

Kryeministri, Berisha u lëshon ultimatum njësive vendorë të drejtuara nga socialistët që brenda pesë ditësh të ulin taksat, ose përndryshe në këtë çështje do të ndërhyjë ekzekutivi shqiptar. Duke përshëndetur gjatë përurimit të autostradës Fier Lushnje, kreu i ekzekutivit tha se 'në një kohë që qeveria shqiptare ka ulur taksat për ta kthyer Shqipërinë, në një nga vendet me barrën më të ulët fiskale, lëvizja e njësive vendore që po rrisin taksat është e papranueshme. Numri një i qeverisë shqiptare, tha se pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, stacioni i radhës për shqiptarët është liberalizimi i plotë i vizave me vendet e Bashkimit Europian. Me tej kryeministri Berisha pasi preu bashkë me ambasadorin italian në Shqipëri, shiritin e autostradës Lushnje-Fier, tha se brenda dy muajve qeveria do të nisë zbatimin e 5 projekteve të tjera madhore në këtë qark. Autostrada me katër korsi është investim i qeverisë italiane në vlerën e 20 milionë eurove. Gjatë saj janë ndërtuar 5 mbikalime të hekurta për këmbësorët dhe 4 mbikalime betoni për automjetet. Këto do të mundësojnë lidhjet e dy anëve të autostradës me fshatrat buzë saj. Autostrada lushnje Fier është 21.7 km e gjatë dhe punimet për të kane filluar në janar të 2006-ës.