E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti të diskutojë një plan kombëtar antikrizë”

09/04/2009  Meta për krizën ekonomike

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi sërish diskutimin dhe miratimin në Kuvend të një plani kombëtar antikrizë. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, referuar deklaratës së FMN-së deklaroi se “rritja ekonomike për Shqipërinë për këtë vit nga FMN-ja parashikohet të jetë 0 deri në 1 për qind, po kështu edhe konstatimet e tjera se rënia e vlerës së lekut, rënia e eksporteve, papunësia në rritje dhe rënia e besimit të konsumatorëve janë tregues të një realiteti ekonomik që vetëm Berisha nuk do ta shikojë dhe ta pranojë, sepse është përgjegjësi kryesor për këtë situatë ku ndodhet vendi dhe për mungesën e reagimit dhe të masave nga ana e qeverisë për të përballuar krizën”. Sipas tij, qeveria duhet të ketë parasysh se përballimi i krizës dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit janë shumë herë më të rëndësishme sesa shpenzimet e saj për qëllime elektorale. “Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që Parlamenti të diskutojë urgjentisht një plan kombëtar antikrizë, në mënyrë që pasojat sociale dhe ekonomike të kësaj krize që ka përfshirë vendin tonë dhe që po thellohet çdo ditë të mos jenë të pakontrollueshme për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë kombëtare”, - u shpreh Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›