E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mos përsërit gabimin e 2006”

09/04/2009  Rama apel Berishës për deklaratën e FMN-së

Kreu socialist kërkoi ndërgjegjësim të qeverisë për krizën

Kryetari Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi nga qeveria dhe Kryeministri Berisha t’i kushtojnë vëmendje të veçantë qëndrimit të FMN-së lidhur me krizën ekonomike. Sipas tij, kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka rënë më fort se asnjëherë për qeverinë shqiptare. “Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se vendi shkon drejt rritjes ekonomike zero dhe përdorimi i mëtejshëm i të ardhurave për shpenzime e investime elektorale kërcënon drejtpërdrejt buxhetin e rrogave e të pensioneve”, - vlerësoi Rama gjatë një konference për shtyp. Në gjykimin e kreut socialist FMN-ja, duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, ka bërë një apel kumbues për pranimin e krizës që po mbërthen vendin dhe për kthimin në realitet të atyre që qeverisin. “Unë i bëj apel kryeministrit të mos përsërisë gabimin historik të vitit ’96, kur nuk i dëgjoi kambanat e FMN-së e të Bankës Botërore, dhe t’i dëgjojë thirrjet tona të përsëritura për të kthyer buxhetin në realitet, për të pranuar rënien ekonomike, për të mos rritur shkallën e rrezikut duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale, për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive mbi biznesin dhe për të mos rrënuar themelet e shtetit të të gjithëve për interesat e pushtetit të disave”, - vuri në Rama lidhur me këtë çështje. Sipas tij, është domosdoshmëri kthimi i buxhetit në realitet. E në këtë kontekst, kryetari i PS-së radhiti disa nga mundësitë që qeveria duhet t’i shohë si primare për të zbutur krizën. “Është e domosdoshme që të mos thellohet borxhi ynë i përbashkët për shpenzime që janë sot të domosdoshme që të frenohen. Gjithashtu është e domosdoshme që të mos aplikohen pagat e referencës, të cilat po e asfiksojnë biznesin dhe sipërmarrjen e lirë shqiptare, dhe të merret një masë drastike për të shmangur gjobat abuzive”, - u shpreh Rama. Referuar kësaj çështjeje, kreu socialist gjykoi se “duke u thënë njerëzve se s’ka krizë, se Shqipëria është një mrekulli botërore, ne rrezikojmë që ta pësojmë shumë më keq sesa shumë vende të tjera, që u prekën shumë më fortë nga kriza dhe pikërisht sepse e pranuan dhe e administruan me përgjegjshmëri krizën sot nuk kërcënohen nga rreziqet”. Nga ana tjetër, një interpelancë në Kuvend për krizën për kreun Rama nuk është një masë shumë efikase. “Ky është një aspekt i një sërë lëvizjesh dhe masash që duhen marrë, por nuk është më i rëndësishmi”, - nënvizoi Rama lidhur me këtë moment.

Deklarata e FMN-së

Sipas parashikimeve të FMN-së të marsit të 2009, aktiviteti ekonomik botëror gjatë këtij viti pritet që të tkurre. “Këto zhvillime ndikojnë edhe Shqipërinë, megjithëse politikat e saj të shëndosha makroekonomike dhe strukturore në të kaluarën e vendosën atë në një pozicion më të mirë fillestar se shumë vende të tjera në rajon. Megjithatë, eksportet janë frenuar, dërgesat e emigrantëve kanë filluar të bien dhe rritja e kreditimit po ngadalësohet, çka ngadalëson investimet. Rritja e të ardhurave buxhetore po ngadalësohet, në një kohë kur financimi i brendshëm dhe i jashtëm për buxhetin po bëhet gjithnjë e më i kufizuar”, - thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›