Berisha, urdhër deputetëve: Të gjithë në Kuvend për legalizimet
Deputetët e djathtë janë të detyruar të mos largohen nga Tirana për asnjë arsye personale dhe as shtetërore ditën e enjte. Shtyrja për disa seanca me radhë e ligjit të legalizimeve, për shkak të mungesës së kuorumit në sallë, ka bërë që Kryeministri Sali Berisha të forcojë urdhrat ndaj të vetëve për pjesëmarrjen e tyre në seancën e radhës. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha urdhëroi deputetët e tij që asnjëri prej tyre të mos largohet ditën e enjte jashtë Tiranës. Kryeministri i kujtoi grupit të PD-së se pas tre ditësh do të votohet një ndër ligjet më të rëndësishme, siç është ai i legalizimeve. Për këtë arsye, Berisha kërkoi pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të djathtë në sallë ditën që votohen ndryshimet në ligj. Në mënyrë të prerë, Berisha u tha të vetëve: “Asnjëri nga ju të mos udhëtojë jashtë shtetit ditën e enjte, por të gjithë pa përjashtim të jeni prezent në sallë, pasi do të votohet ligji”. Urdhri i Kryeministri zë shkak nga shtyrjet prej më shumë se dy javësh të votimit të ligjit të legalizimeve, për faktin se nuk arrihet kuorumi i duhur në momentin e votimit. Por kreu i mazhorancës këtë radhë ka vendosur të mos tolerojë asnjërin nga deputetët e tij në rast mungese ditën e enjte. Sa herë që bëhet fjalë për votime të rëndësishme në Parlament, Berisha paralajmëron grupin e deputetëve të PD-së që të bëjnë kujdes me pjesëmarrjen në sallë. Rasti më i fundit është dhe rasti i djeshëm, ku pas urdhrit të Berishës, pritet prezenca e të gjithë deputetëve demokratë në sallë ditën e enjte, kur dhe do të kalojnë për votim ndryshimet e ligjit të legalizimeve.