E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetë të PS-së vizitojnë grevistët e Gërdecit

Drejtues të selisë rozë, Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj si dhe Musa Ulqini vizituan dje grupin e ish-punonjësve të fabrikës së Gërdecit që prej disa ditësh kanë hyrë në grevë urie. Deputetët socialistë, Ruçi, Leskaj dhe Ulqini, garantuan grevistët e urisë se do të vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre në Parlament, derisa të plotësohen kërkesat e tyre minimale për dëmshpërblim, që erdhën si rrjedhojë e një krimi shtetëror. “Kemi paraqitur dhe po presim në Parlament, projektin për sa i takon kompensimit të anës materiale, por edhe dëme të tjera, si pagesa për dëmtime fizike, pagesën për humbjen nga vendi i punës, pagesën për invaliditet për ata që kanë nevojë për të, pagesën për kohën e humbur nga mosnjohja e periudhës së punës nga sigurimet shoqërore dhe të gjitha të drejtat që ju takojnë, sepse ju jeni viktima të një krimi shtetëror dhe këtë kosto nuk duhet ta paguajë populli i Gërdecit, por shkaktarët e krimit”, - tha Leskaj. Ndërsa kreu i AK-së, Gramoz Ruçi, tha se kjo tragjedi nuk mund të zgjidhet me deklarata politike, as të mazhorancës, as të minorancës. “Ideja e kësaj nisme, është që me një ligj nga Parlamenti shqiptar të zgjidhen të gjitha hallet, problemet dhe shqetësimet, të cilat duhet të përballohen 100 % nga shteti. Deri më sot, ka pasur deklarata politike, që post-Gërdeci është administruar në mënyrë të shkëlqyer, por prania juaj këtu sot, e atyre që nuk janë, e atyre që janë në konvaleshencë, deklaratat që ata bëjnë, tregojnë se nuk janë të vërteta ato që janë thënë nga qeveria”, - deklaroi Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›