E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Socialistë, mos keqpërdorni banorët e Gërdecit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh gjatë seancës së djeshme në Kuvend se banorët e Gërdecit që kanë hyrë në grevë urie po keqpërdoren. Patozi, si deputet i kësaj zone, u shpreh se ka kontaktuar personalisht me shumë banorë të kësaj zone, të cilët i kanë komunikuar se kanë marrë dëmshpërblimet përkatëse, si dhe kanë nisur ndërtimin e shtëpive të tyre. Ai kërkoi nga opozita që të mos nxisin banorët e Gërdecit që të nisin greva urie të pavlera. “Ju doni të dërgoni drejt sakrificës disa qytetarë”, - tha në fjalën e tij Patozi, i cili tha më tej se do të dëgjohen kërkesat e grevistëve në fshatin Gërdec. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës u shprehën se ka mangësi të shumta në menaxhimin e situatës në Gërdec. Ata janë shprehur se ende nuk janë shpërndarë të gjitha dëmshpërblimet. Këtë fakt e kundërshtoi ashpër ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i cili u shpreh se dëmshpërblimet janë ndarë rregullisht. Ministri Nishani u shpreh më tej se deputetët e opozitës kërkojnë të përfitojnë politikisht me tragjedinë e Gërdecit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›