E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha urdhëron strehimin e banorëve në Konvaleshencën e Durrësit

Durrës - Mjediset e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në periferi të Durrësit, me rreth 400 shtretër gjithsej, janë vënë në dispozicion të familjeve, banesat e të cilave kanë pësuar dëmtime të ndjeshme si pasojë e shpërthimeve që ndodhën të shtunën në mesditë në një depo ushtarake në fshatin Gërdec të Rrethit të Tiranës. Lajmin e bëri të ditur për mediat drejtori i Shtëpisë së Pusdhimit të MB-së, Mysli Shala, i cili nënvizoi se “mjediset e këtij institucioni janë vënë në dispozicion të të dëmtuarëve me urdhër të Ministrisë së Brendshme”. Rreth 20 banorët e parë nga fshatrat Maminas dhe Karreç të Rrethit të Durrësit, që ndodhen shumë pranë fshatit Gërdec, mbërritën në mjediset e Shtëpisë së Pushimit rreth një orë më parë, të shoqëruar nga forcat e Policisë së Shtetit. Mësohet se forcat e Policisë së Shtetit do ta ndjekin këtë operacion. Ndërkohë, drejtori Shala bëri të ditur se rreth 25 punonjës të institucionit që ai drejton janë në gatishmëri të plotë, ndërsa janë marrë të gjitha masat edhe për ushqimin e të gjithë personave që pritet të evakuohen në vazhdim.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›