Tragjedia e Gërdecit, kryeministri Berisha mblodhi Shtabin e Emergjencave
Operacioni i evakuim-shpëtimit zbraz pjesën më të madhe të zonës. Qeveria vë në dispozicion të njerëzve numra telefoni dhe godina publike
Ervin Koçi
Menjëherë pas nisjes së shpërthimeve të municioneve në bazën e çmontimit të tyre në fshatin Gërdec, pranë Bashkisë së Vorës është ngritur edhe Shtabi i Emergjencës që monitoron situatën. Nën drejtimin e kryeministrit të vendit Sali Berisha, ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, ministrit të Shëndetësisë Nard Ndoka, si dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë dhe institucioneve të tjera, Shtabi i Emergjencës menjëherë ka nisur t’u vijë në ndihmë banorëve të rrezikuar. I vendosur në një hotel në hyrje të Vorës, Shtabi ka nisur ndjekjen hap pas hapi të situatës dhe koordinimin e operacioneve të shpëtim-evakuimit të banorëve nga zona e rrezikuar. Gjatë operacionit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Mbrojtjes Civile nxorën nga një tunel në afërsi të vendngjarjes 25 banorë të zonës, ndër të cilët disa me plagosje të lehta. Transporti i tyre u krye me helikopter. Ndërkohë që repartet e Xhenios dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë gjetur në vendin e ngjarjes edhe një tjetër të plagosur në gjendje të rëndë. Por sipas specialistëve, pjesa më e madhe e territorit mbetet e pakontrolluar, të paktën deri dy ditë pas shpërthimeve, për shkak se duhet që më parë të bëhet krehja e zonës për mjete eksplozive ende të pashpërthyera.
Evakuimi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se pjesa më e rrezikshme, ku nuk përjashtohet të ketë edhe viktima, është vatra e shpërthimit, por për shkak të rrezikshmërisë që ajo paraqet nuk mund të hyjë as pjesa e ushtrisë dhe as ajo e policisë, ndërsa e gjithë zona tjetër është kontrolluar. "Deri në këto momente, ne kemi angazhuar të gjitha forcat e ushtrisë, të policisë, të emergjencave civile, të shëndetësisë", - tha Nishani. "Për të bërë të mundur pastrimin nga specialistët përtej zones, ne nuk mund të lejojmë që banorët të vijnë", - shtoi ai. Sipas tij, forcat speciale dhe ato xheniere hynë edhe në dy tunele, ku ishin strehuar banorë dhe punëtorë, të cilët më pas u evakuuan, ndërsa të lënduarit u transportuan drejt Spitalit ushtarak, në Tiranë. Grupi më i afërt i policisë dhe forcave të ushtrisë është rreth 50 metra në vijë ajrore nga vatra e shpërthimit, - sipas Nishanit. Lidhur me numrin e punëtorëve, të cilët kanë qenë në depo në momentin e shpërthimit, ministri tha: “Jemi në kontakt me përfaqësuesit e firmës private që kryente punimet për të pasur një listë të plotë të tyre”. Ndërkohë, Shtabi i Emergjencës pas njoftimit për mbledhjen e banorëve të vendngjarjes dhe zonave përreth në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme dhe përpara Bashkisë së Vorës bëri dhe transportimin me autobusë që u vunë në dispozicion për t’i shpënë ata në godinat e konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Ministrisë së Brendshme në Durrës, ku edhe u strehuan.
Telefoni i shpresës
Shtabi i Emergjencës për shpërthimin në Gërdec ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit 129 të sallës së Qendrës Operative. Zyra e Shtypit e Kryeministrit njoftoi se për çdo emergjencë Shtabi i Emergjencës ka vendosur në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit 129, të sallës së Qendrës Operative. Kjo gjë është bërë me qëllim që qytetarët të marrin dhe të japin informacione për të afërmit e tyre që mund të jenë të humbur apo për rastet e mundshme të të plagosurve, me qëllim dhënien e ndihmës për ta. Shpërthimi që ndodhi dje në mesditë në depon me municione ushtarake, në fshatin Gërdec, në afërsi të Vorës, shkaktoi sipas informacioneve pesë të vdekur dhe mbi 200 të plagosur.
17 Mars 2008