E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i Gërdecit, Presidenti Topi mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas vizitës së djeshme në Spitalin Qendror Ushtarak në Tiranë për të parë të plagosurit e shumtë, njoftoi se do të mbledhë menjëherë pas kapërcimit të fazës së emergjencës Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar këtë situatë tejet të rëndë. “Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet për të analizuar shkaqet e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, për të përballuar pasojat, për të marrë masat, si dhe për të parandaluar situata të tilla në të ardhmen”, - ka deklaruar Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai i ka mbajtur këto deklarata gjatë vizitës që u bëri të plagosurve të shumtë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, i shoqëruar nga i gjithë stafi drejtues i Presidencës dhe nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Presidenti Topi bëri thirrje për qetësi, duke siguruar që të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë dhe po punojnë për administrimin dhe stabilizimin e situatës. “Ishte një vizitë shumë e shkurtër në Spitalin Ushtarak, sepse ky është momenti që duhet të lejojmë stafet mjekësore, si dhe forcat e policies, që të punojnë në kushte qetësie. Unë gjithmonë kam përshëndetur mediat, sepse ato bëjnë përçimin edhe të këtyre ngjarjeve të hidhura në publik dhe ju bëj thirrje shumë të drejtpërdrejtë që ju duhet të kontribuoni për qetësimin e situatës. Kjo situatë natyrisht është e rëndë, por është nën kontroll. Ne duhet t’u krijojmë korridore të lira ambulancave, forcave të policisë, njerëzve që kanë nevojë dhe sigurisht situatat e rënda dhe të vështira kalohen me një solidaritet, kalohen me një bashkëpunim, kalohen me qetësi. Në të tilla situata, asnjëherë nuk duhet të krijojmë panik, situata është duke u kontrolluar nga të gjitha institucionet e shtetit. Ju jeni vetë dëshmitarë që të gjithë janë në këmbë, janë të motivuar që ta përballojnë këtë situatë hap pas hapi. Mendoj se nuk ka vend për panik, duhet patjetër qetësi. Ky është mesazhi im. Pastaj, për të gjitha të tjerat, do të komunikojmë hap pas hapi edhe për takime midis institucioneve, por momenti i parë është që duhet të njihet situata. Është kjo një situatë e alarmit momental, që gradualisht do të qetësohet”.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›