Ndoka: “Situata nën kontroll”
Pak kohë pas shpërthimit në Gërdec, ndërsa të plagosurit e parë kishin filluar të mbërrinin në Spitalin Ushtarak, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka bërë publike ngritjen e grupeve të mjekëve për të qenë në gatishmëri për të pritur të plagosurit.
”Edhe pse ngjarja është e rëndë, bëhet fjalë kryesisht për një numër të konsiderueshëm të plagosurish që kanë marrë plagë të lehta. Të gjithë po priten nga mjekët, janë marrë masat e duhura dhe mund të themi se situata është nën kontroll”, - ka pohuar dje ministri. Ndoka siguroi se Spitali Ushtarak ka kapacitetet e duhura për të pritur të gjithë të plagosurit dhe për t’u dhënë atyre ndihmën e parë mjekësore.
Reparti i djegieve, gjendja më e rëndë
Në orët e vona të pasdites, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka pohuar se ata që janë shtruar në Qendrën Spitalore janë në gjendje më të rëndë. Tetë prej tyre, që ndodhen në Repartin e Djegieve kanë marrë plagë shumë të rënda dhe mjekët po analizojnë situatën për t’i përgatitur për kurim jashtë shtetit.
17 Mars 2008