E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: “Në Gërdec nuk ka lëndë kimike dhe as raketa”

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka deklaruar dje, duke ndjekur situatën e shpërthimeve në fshatin Gërdec: “Nuk ka lëndë kimike dhe as raketa në depon e municioneve në tunelet e bazës së Gërdecit”. Pas njoftimeve për ekzistencën e lëndëve kimike dhe raketave në këtë depo, ministri ka hedhur poshtë gjithçka duke thënë se nuk ka as lëndë kimike dhe as raketa në atë depo. Ndërkohë që deklarohet se nëse do të ekzistonin elemente të tillë, atëherë do të kishte të tjera pasoja dhe përmasat e tragjedisë do të ishin edhe më të mëdha. Në këtë pike, ministri deklaroi: “Banorët mund të jenë keqkuptuar kur kanë njoftuar për ekzistencën e këtyre elementeve”. Municioni që ndodhej në depon e çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec të Vorës ndodhej aty prej gati 40 vjetësh dhe përbëhej kryesisht nga municione artilerie, - bënë të ditur specialistë që merren me çmontimin e tyre. Sipas tyre, fishekë nuk ka patur dhe municioni i mbledhur aty vinte nga të gjitha depot e vendit. Lidhur me sasinë e municioneve që ndodheshin aty, burimet thanë se ai arrinte deri në 3 mijë tonë predha të kalibrit 100-152 mm. Në këtë qendër punohej prej një viti dhe janë demontuar 6500 tonë fishekë.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›