Të evakuuarit e parë mbërrijnë në Shtëpinë e Pushimit të MB-së
Durrës - Të paktën 20 banorë të fshatrave Karreç dhe Maminas të Rrethit të Durrësit, zona këto shumë afër fshatit Gërdec të Rrethit të Tiranës, ku të shtunën në mesditë shpërtheu një depo ushtarake, janë evakuuar dhe janë vendosur dje pasdite në mjediset e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, në periferi të Durrësit. Personat e evakuuar kanë deklaruar se shtëpitë e tyre kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e shpërthimeve të njëpasnjëshme që u regjistruan në depon ushtarake të fshatit Gërdec. Ata ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që ky është grupi i parë i personave shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga shpërthimet dhe që do të evakuohen në mjediset e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.
17 Mars 2008