Emergjenca, ndihmë banorëve të traumatizuar nga shpërthimi në Gërdec
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa deklaroi dje në mbrëmje në Durrës se banorëve të traumatizuar nga shpërthimi në Gërdec të rrethit të Tiranës do t’u jepet e gjithë ndihma e duhur. Ai nënvizoi: "Duhet të jemi të përgatitur për t’i ndihmuar ata për një periudhë të pacaktuar, të paktën disaditore". I pranishëm në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës së Prefekturës së Durrësit, zëvendëskryeministri Oketa tha se me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës të gjithë banorët e kësaj zone do të strehohen në Durrës deri sa situata të stabilizohet. “Banorët do të strehohen në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, si dhe në disa hotele pranë saj”, - tha Oketa. Mjediset që pritën dje të evakuuarit nga tragjedia kishin rreth 700-800 shtretër si dhe ushqimet e nevojshme. Ai vlerësoi punën e mjekëve të Spitalit të Durrësit për kujdesin e treguar në ndihmë të të lënduarve që mbërritën në këtë spital si dhe solidaritetin e veçantë të qytetarëve në dhurimin e gjakut. Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Durrësit u mblodh të shtunën në mbrëmje pas shpërthimit të një depoje ushtarake në fshatin Gërdec, me pasojë lëndimin e disa dhjetëra njerëzve. Në kuadër të masave të marra nga Prefektura e Durrësit, prefekti Klodian Pajuni tha se në dispozicion të të gjithë njerëzve që do të mbërrijnë nga zona e dëmtuar do të jetë një autobus, ndërsa të gjithë ata që kanë nevojë mund të telefonojnë në numrat e telefonit 052/23459 dhe 052/23559. Drejtuesve të Bashkive të Manzës dhe të Maminasit, që kanë disa fshatra pranë vendngjarjes, iu kërkua që t’i drejtojnë banorët me banesa të dëmtuara në qytetin e Durrësit. Në takim ishin të pranishëm dhe kryetari i këshillit të qarkut, Seid Kërtusha, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtues të bashkive dhe komunave, si dhe institucioneve të tjera të qarkut.
17 Mars 2008