E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha vazhdon “parafushatën” në fshatrat e Vlorës



Kryeministri Berisha vijoi turin e takimeve në rrethe në fshatrat e Vlorës. Gjatë ditës së djeshme Berisha është ndalur në zonën e Llakatundit, ku ka përuruar përfundimin e punimeve për rrugën e qendrës së fshatit, me gjatësi 900 metra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 15 milionë lekë. Në takimin me banorët e zonës, duke i uruar për rrugën e re, kryeministri premtoi se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të investohet për zonën 4 herë më shumë se sa investimet aktuale. “Kryetari juaj më informoi se buxheti i shtetit ka dhënë për këtë komunë 4 herë më shumë se qeveritë e mëparshme. Unë garantoj kryetarin dhe të gjithë ju se qeveria, gjatë viteve që vijnë, do të japë edhe katër herë të tjera më shumë për komunën tuaj”, - është shprehur Berisha. Kryeministri kërkoi nga pushteti vendor angazhimin maksimal për hartimin e projekteve në sektorë të ndryshëm, duke siguruar se nga qeveria nuk do të mungojnë financimet për realizimin e tyre, me qëllim përmirësimin dhe modernizmin e jetës së banorëve të zonës. Berisha theksoi se brenda një viti në këtë komunë janë investuar më shumë se në katër vjet të qeverisjes socialiste. Kryeministri siguroi se për qeverinë mbetet përparësi që t’u krijojë qytetarëve shqiptarë kushte dhe standarde bashkëkohore sa më të përafërta me ato të qytetarëve europianë. “Janë një seri projektesh në rrugë të fshatrave të kësaj zone, në ujësjellës, qendra shëndetësore etj. Qeveria ka si përparësinë e saj më kryesore, t’u krijojë qytetarëve shqiptarë kushte, standarde të përafërta, madje të njëllojta me të qytetarëve të tjerë europianë”,- ka premtuar Berisha.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›