E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Gjykatës së Hagës



Parlamenti shqiptar i hapi rrugë dje Marrëveshjes me Tribunalin e Hagës, të firmosur në 19 shtator nga Shqipëria dhe Gjykata Ndërkombëtare të Krimeve. Me këtë marrëveshje Shqipëria gëzon të gjitha të drejtat për të kërkuar që dënimin e dhënë nga Tribunali për masakrat e bëra në Kosovë, gjeneralët famëkeq serbë ta vuajnë në burgjet shqiptare. Projektligji u miratua me shumicë votash. Të burgosurit serbë, të dënuar për krime lufte nga Haga, mund t’i vuajnë dënimet në burgjet shqiptare. Por kjo marrëveshje është kundërshtuar nga Serbia, vetëm një muaj pas publikimit të lajmit se të dënuarit për krime lufte në Kosovë do të mund të vuajnë dënimin e caktuar nga Gjykata Ndërkombëtare në qelitë shqiptare. Në seancën e djeshme të radhës ligjvënësit shqiptarë votuan me 81 vota pro dhe 1 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish - Jugosllavinë”. Marrëveshja për të burgosurit për krime lufte mes Hagës dhe Shqipërisë u firmos më 19 shtator të këtij viti nga ambasadori ynë në Holandë, Roland Bimo dhe sekretari i Gjykatës Ndërkombëtare, Hans Holthaus. Në bazë të nenit 1 dhe 2 të Marrëveshjes, shteti shqiptar, me një kërkesë zyrtare drejtuar Tribunalit, ka të drejtë të kërkojë që një apo disa kriminelë lufte, pa dallim nacionaliteti, ta vuajnë dënimin në burgjet shqiptare.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›