Berisha vazhdon shkëlqimin

Besart Berisha mbetet ai i vjetri. Sulmuesi kosovar e vazhdoi aty ku e la sezonin e kaluar. Prishtinasi shënoi dy gola për Brisbane Roarin, e cila në shtëpi deklasoi Melbournen duke e mundur me rezultat të thellë, 5:0.
Ish-sulmuesi i Burnlyt, Hamburgut, Rosenborgut e Horsensit, i cili ka qenë titullar në këtë përballje, golin e parë e realizoi në minutën e 64-t derisa golin e dytë të tij e shënoi në fund të ndeshjes.
Berisha me këtë formë ka paralajmëruar kundërshtarët se edhe këtë sezon do ta ketë fjalën kryesore në ekip dhe kampionat duke realizuar gola. Sezonin e kaluar, reprezentuesi i Shqipërisë ishte shpallur golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit australian (A-League).
Me golat e tij, Berisha kishte ndihmuar Brisbane Roarin që ta fitojë titullin e kampionit në Australi. Pas dy xhirove të kaluara në A-League, skuadra e Berishës ka tubuar 3 pikë, tri më pak se lideri i tabelës Adelaide United FC.