Lulëzim Berisha transferohet nga spitali në Burgun 313
TIRANË - Lulëzim Berisha, i cilësuar si kapo i “Bandës së Durrësit”, është transferuar një ditë më parë nën masa të rrepta sigurie nga Spitali i Burgut në Burgun e Sigurisë së Lartë 313 në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dje për gazetën nga burime pranë Drejtorisë së Burgjeve, të cilat konfirmuan izolimin e të pandehurit Berisha ne mjediset e burgut 313. I pandehuri Berisha iu nënshtrua pak ditë më parë një operacioni në apandesit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dhe më pas u trajtua në Spitalin e Burgut. Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tij, togat e shoqërimit realizuan pasditen e së premtes transferimin e Lulzim Berishës sërish në burgun e Sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Lulëzim Berisha është në proces gjykimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale, e njohur si “Banda e Durrësit”. Së bashku me të, në proces gjykimi në këtë gjykatë janë dhe 16 persona të tjerë, të cilët akuzohen si pjesëtarë të bandës. Shumë prej të pandehurve të Bandës së Durrësit janë arrestuar këto dy vitet e fundit në sajë të operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
8 Shtator 2008