Berisha vazhdon vizitën në Kinë
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës në Kinë, mori pjesë në pritjen e mirëseardhjes në hapje të forumit, në të cilën morën pjesë 12 liderët e shteteve dhe qeverive, të ftuar me këtë rast si dhe përfaqësues nga kompanitë më prestigjioze të botës në fusha të ndryshme. Në këtë pritje, Kryeministrit Berisha iu rezervua një vend special pranë Kryeministrit të Kinës, Wen Jiabao, me të cilin Kryeministri Berisha do të takohet në Pekin më datën 20 prill. Në Forumin Ekonomik të Azisë BOAO të këtij viti marrin pjesë 12 liderë dhe ish-liderë të shquar, mes tyre ish-presidenti i SHBA, George Bush, ish-kryeministri i Japonisë, Fukuda Yasuo, Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, Presidenti i Kazakistanit dhe zëvendëspresidenti i Iranit, Parviz Davoodi. Në forum marrin pjesë edhe drejtues të kompanive nga më prestigjiozet të rajonit dhe më gjerë, si "Google", "Deloitte Touche", "Microsoft", "Tata Group", "Ericsson", "Royal Philips Electronics", "Samsung", "Toyota Motor Corporation", Këshilli Biznesit Malajzi-Kinë, etj., si dhe grupe bankare të fuqishëm, si Bank of America Merril Lynch, HSBC Bank, Banka për Zhvillim e Azisë, Korporata e Kinës për Investime.