Mediu: Ndërtojmë rrugën edhe me unazat e grave
Ndizet fushata elektorale edhe për Partinë Republikane. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, duket qartë se po ecën në gjurmët e Kryeministrit Berisha, duke i "vjedhur" edhe deklaratat. Mediu ka ftuar të majtët dhe në mënyrë të veçantë Edi Ramën të vizitojë tunelin, ndërsa, duke iu kundërvënë "zhurmave kundër rrugës", siç i quajti komentet për korrupsion dhe shpenzime të tepërta, ashtu si Berisha, ai përmendi batutën e bizhuterive të grave për përfundimin e rrugës. "Do të shesim edhe unazat e grave dhe rrugën do ta përfundojmë", u shpreh Mediu. Ai shtoi se koalicioni i djathtë është zgjedhja më e mirë e të gjithë shqiptarëve, se puna e bërë gjatë këtij legjislacioni është meritë e të gjithëve. Sipas tij, reformat e ndërmarra nga mazhoranca kanë rezultuar të suksesshme, mbi të gjitha nga përkrahja dhe puna e të gjithë administratës publike dhe të gjithë shqiptarëve.