E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Zgjedhjet nuk do të bëhen kur t‘i dalë frika Ramës

Partia Demokratike "braktis" Tiranën, duke u mobilizuar për fushatën elektorale në rrethe. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, nga Gramshi u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit. Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, nga Saranda kundërshtoi shtyrjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke shtuar se PS ka frikë nga zgjedhjet. Ndërsa ministri Sokol Olldashi nuk e ka të lehtë të harrojë humbjen e Bashkisë së Tiranës përballë Edi Ramës, teksa hedh akuza ndaj tij.

Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga Gramshi u bëri thirrje grave që të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit, duke mos neglizhuar pajisjen me karta identiteti. Duke përdorur parullën se gruaja ka pushtetin dhe forcën e bindjes, Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje grave të Gramshit të nxisin burrat e tyre për të aplikuar për kartën e identitetit. "Thuajini bashkëshortëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni. Thuajini fëmijëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni. Thuajini nënave dhe baballarëve tuaj dhe bashkë shkoni dhe aplikoni. Kjo është detyra jonë. Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne si shqiptarë, si Shqipëri, në këtë moment", u shpreh Topalli. Ajo shtoi se "më shumë do të bëjmë në mandatin e ardhshëm, sepse gratë e meritojnë, nënat e meritojnë, familjet e meritojnë, e mbi të gjitha, fëmijët e meritojnë".

Patozi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi nga Saranda se "Shqipëria nuk do të bëjë zgjedhje kur t‘i dalë frika Edi Ramës". Në një takim në Komunën Ksamil dhe Vergo në Sarandë dhe Delvinë, Patozi u shpreh se, shqiptarët nuk do të shkojnë për të votuar kur t‘i lindë ndonjë ditë shpresa Edi Ramës se mund t‘i fitojë zgjedhjet. "Ne do të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, atëherë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit", u shpreh Patozi. Në takimet me banorët e Ksamilit, Patozi tha se, në këtë komunë fondet e akorduara janë 190 milionë lekë, 3.5 herë më të larta së në vitin më të mirë të socialistëve. Në Ksamil, është investuar në infrastrukturë dhe në disa vepra publike. Gjatë turit të tij në Delvinë, Patozi zhvilloi takime edhe me banorët e Komunës Vergo. Nënkryetari i PD-së u shpreh se kjo komunë do të marrë jetë me ndërtimin e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë dhe se në një mandat të dytë qeverisës do të rishikohen prioritetet në investime për të përmirësuar çdo ditë jetën e banorëve të këtyre zonave.

Olldashi

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, akuzoi Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke u shprehur se "ai është një person me lidhje kriminale të cilat kërkon t‘i përdorë në fushatë". Në një takim që pati në komunat Greshnic, Fratar dhe Kute të Mallakastrës dhe Ballshit Olldashi u shpreh se "Edi Rama, modeli që kemi përballë, është e kundërta e atij që vjen te ju. Thotë se do të luftojë krimin, ndërkohë që kryen takime të përnatshme me të gjithë falangat e mbetura të krimit, me qëllim për t‘i mobilizuar ato në fushatën elektorale".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›