E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama i shkruan Berishës: Hiqe taksën e votës! Ndërhyn edhe Topi: Duhet dialog

Edi Rama i dërgoi dje një letër Kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkoi që të heqë taksën e votës. Ky veprim vjen pas thirrjeve dhe ftesave të vazhdueshme nga opozita në adresë të qeverisë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Kjo me qëllim që të gjithë shtetasit të kenë mundësi të pajisen me karta identiteti, duke mos humbur të drejtën e votës më 28 qershor. Në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha, kryetari i PS-së, Rama, thekson se "taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cenon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur".

Të vendosësh një taksë për votën, shprehet Rama, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Sipas kreut të PS-së, asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Sipas tij, asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar.

"Taksa e votës përcjell jo vetëm një frymë antidemokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar te partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme", thuhet në letrën që Rama i ka nisur Kryeministrit. Më tej, ai thekson se "taksa e votës nuk është një çështje politike. Taksa e votës është një çështje parimore. Çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. Kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë". Në vlerësimin e kryetarit të PS-së, qeveritë të cilat kufizojnë të drejtën a shtetasve të tyre për të votuar, janë qeveritë autoritare të së shkuarës. Shqipëria, u shpreh Rama, si një shtet anëtar në NATO dhe aspirues për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojë qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre. "Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje", u shpreh ai. Rama mendon se më shumë se kurrë, është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në fund të letrës, kryetari i opozitës thekson se "shtetasit e republikës sonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni zoti Kryeministër sa s‘është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s‘është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindra mijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde". Dy ditë më parë, kryetari i PS-së ftoi Kryeministrin dhe mazhorancën të uleshin në një tryezë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje konkrete për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Duket se zëri i opozitës deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër, duke krijuar një situatë të paqartë në lidhje me fatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Zgjedhjet janë një gur prove për vendin tonë para syve të ndërkombëtarëve. Nga këto zgjedhje varet dhe hapi i mëtejshëm i Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane.

"Më 28 qershor do të marrësh fundin që ti meriton"

PD, Ramës:

Shkruaj letra

tri herë në ditë!

Partia Demokratike i ktheu dje përgjigje publike letrës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, për kartat e identitetit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, bëri të qartë qëndrimin e kryetarit të Partisë Demokratike se nuk do të ketë karta identiteti falas.

"Rama, siç u merr 500 lekë qytetarëve për një certifikatë dhe nuk u a jep ato pa paguar taksat e gjelbërimit dhe pastrimit, nuk ka koncept tjetër lirie përveç mashtrimit, trillimit dhe plaçkitjes në bashki", tha Mëhilli. Në lidhje me letrën e shkruar nga Rama për letërnjoftimet, Mëhilli theksoi se "shkruaj letra tri herë në ditë, shpif e trillo nga mëngjesi deri në darkë, të jesh i bindur se më 28 qershor do të marrësh fundin që ti meriton". Duke i bërë një paraqitje të gjithë situatës së krijuar deri tani për letërnjoftimet, Mëhilli tha se çmimi i dokumentit të identitetit përmban koston e prodhimit të tij. Jo vetëm që nuk është taksuar në mënyrë absolute, siç trillon në mënyrë ordinere Rama, u shpreh ajo, por, përkundrazi, është subvencionuar nga shteti në masën 80 deri 100 për qind për rreth 700 mijë qytetarë në nevojë dhe 25 deri 35 për qind për të tjerët. Zëdhënësja e PD-së i drejtoi Ramës një pyetje se "çdo të bëhet me 1.2 milionë qytetarë që dokumentin e identitetit, pasaportën e kanë blerë 5 mijë lekë?".

Në fjalën e saj, Mëhilli shtoi se "Rama, për të mbuluar megaskandalin e tij në mbledhjen e KRRT-së së Tiranës, në të cilën mori për vete dhe Eftimin e tij, 19 nga 28 lejet e ndërtimit që ishin gjithsej, duke u ngjitur kështu i zhveshur në majën e piramidës së vjedhjes dhe korrupsionit, lëshon çdo ditë përçartje i tmerruar nga akti i tij prej megakorruptori". Duke kundërshtuar propozimin e kryetarit të PS-së për letërnjoftimet falas, Partia Demokratike ka vijuar në linjën e akuzave për lejet e ndërtimit që jep kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Topi, partive: Unifikoni qëndrimin

"Ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk ka vend për pesimizëm"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theu dje heshtjen, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit, ndërsa partive u ka kërkuar të unifikojnë qëndrimin. Topi i vlerësoi të rëndësishme zgjedhjet e 28 qershorit. "Sa i takon shpërndarjes së kartave të identitetit, ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk ka vend për pesimizëm", theksoi Topi. Duke iu referuar debatit të krijuar ditët e fundit, kreu i shtetit, u shpreh se "unë, jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit. Kështu që i bëj thirrje edhe një herë bashkëqytetarëve. Shkoni aplikoni!". Kreu i shtetit u ka kujtuar të gjithë shqiptarëve se aplikimi për kartën e identitetit nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por jep më shumë aksese në administratë. "Mbi të gjitha, u shpreh Presidenti, duhet të aplikoni për të respektuar vetveten, pasi secili duhet të identifikohet". Duke dëshmuar se është mbi palët, Topi shfrytëzoi rastin për t‘u bërë thirrje partive kryesore politike që të sinkronizohen me shqetësimin. "Të gjithë të kenë një zë, të gjithë t‘u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike. T‘u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë", nënvizoi Presidenti i Republikës. I pyetur për mundësinë e thirrjes së një tryeze të partive politike nga Presidenti, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por la të kuptohet se nuk do ta bëjë një gjë të tillë dhe do jenë partitë politike që do të gjejnë zgjidhjen. "Unë mendoj që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin, për të ardhur pastaj pa diskutim në një kohezion të të gjitha forcave politike", u shpreh Topi, teksa theksoi më tej se "që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen. Është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan, të prononcohet në funksion të asaj që është e rëndësishme". Sakaq, Presidenti u kërkoi edhe mediave që të luajnë rolin e tyre. "Dhe ju besoj që do të kontribuoni që ta mbani gjallë, për të bërë thirrjet e duhura, se pa median, që është interlokutori më i rëndësishëm publik, nuk realizohet gjë", u shpreh ai. Aktualisht, politika shqiptare është përfshirë në një debat të madh në lidhje me pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Mazhoranca deklaron se procesi po shkon mjaft mirë, ndërsa opozita thotë se procesi po dështon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›