E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Gati të kontribuojmë për zgjidhje

Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua dje qëndrimit të PS-së se kartat e identitetit duhet të shpërndahen falas. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pas kthimit të tij nga SHBA, deklaroi se qeveria nuk duhet të humbë më shumë kohë, por duhet të pajisë shqiptarët me karta identiteti. Njëkohësisht, shtoi ai, të gjejë mënyra të tjera, qofshin këto edhe nëpërmjet një logjistike të lëvizshme, që të lehtësojë mundësinë e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave. Duke u ndalur te vizita në SHBA, Meta thekoi se gjatë takimeve që ai kishte, theksi kryesor i bisedave ishte realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. "Ka një shqetësim në rritje edhe në Uashington, lidhur me problemet e deritanishme që janë hasur, për sa i takon një klime optimiste zgjedhore për arritjen e standardeve të kërkuara, kur në mënyrë të veçantë, do të veçoja shqetësimin për rrezikun e humbjes së të drejtës së votës të shumë qytetarëve shqiptarë, për arsyen e procesit të vonuar dhe të vështirë për tu‘ realizuar me sukses, të prodhimit dhe të shpërndarjes së kartave të identitetit", pohoi Meta. Për të mos dështuar procesi i zgjedhjeve, Meta u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me mazhorancën dhe me të gjitha forcat e tjera opozitare, me OSBE/ODIHR-in dhe faktorin ndërkombëtar. Në vlerësimin e Metës, një dështim i zgjedhjeve të 28 qershorit do të ishte një fatalitet për demokracinë shqiptare, do të ishte një turp i madh për të gjithë kombin tonë, do të ishte dhe një njollë që do t‘i vinim aleancës më të madhe të lirisë, asaj të NATO-s, e cila na pranoi vetëm pak ditë më parë. Meta u kërkoi të gjitha forcave politike, të mos tallen më me zgjedhjet në Shqipëri, sikurse kanë bërë deri tani. LSI-ja i kërkoi qeverisë, një angazhim të përgjegjshëm, jo si deri tani. Kërkojmë që të marrë vendim të qartë për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. "Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për të shpëtuar zgjedhjet dhe ne jemi të gatshëm, në mënyrën më konstruktive, për të kontribuar menjëherë dhe pa humbur asnjë sekondë kohë", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›