E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vendim për ekspertët kontabël, 50 deri 100 milion lekëgjobë për bilancet e rreme

Bordi i mbikëqyrjes publike ngarkohet me zbardhjen e shkeljeve dhe përcaktimin e gjobave

Ekspertët kontabël që firmosin bilance me të dhëna të rreme rrezikojnë gjobë nga 50- 100 milionë lekë. Vendimi për ndëshkimin e ekspertëve është marrë dje në mbledhjen e qeverisë në bazë të disa ndryshimeve në ligjin për auditivin. Shkak për marrjen e

masave janë bërë dyshimet jo vetëm për mungesën e deklarimeve por edhe për fatin se disa biznese punojnë me dy bilance. Reduktimi i informalitetit në të dhënat e biznesit do të kalojë nga ndëshkimi i ekspertëve kontabël dhe më pas do të përshkallëzohet në masa për bizneset që abuzojnë me ligjin.


Vendimi
Qeveria e Shqipërisë miratoi dje disa ndryshimeve në ligjin për auditimin ligjor dhe ekspertët kontabël ku parashikohen ndëshkime të ashpra për specialistët e kësaj fushe nëse ata kryejnë veprime abuzive me detyrën. Ndëshkimi më i vogël parashikohet në vlerën e gjobës 50 milionë lekë ndërsa masa maksimale është 100 milionë lekë gjobë. Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave Vendosi: Propozimin e projektligjit Për një ndryshim në ligjin nr. 10091, datë 5.3.2009, Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Burime zyrtare nga qeveria bënë të ditur se projektligji parashikon ndryshimin e nenit 58. Sipas të njëjtave burime mësohet se ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 000 000 deri në 10 000 000 lekë. Në pikën e dytë të vendimit mësohet se vendimin për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike. Ndërkohë që vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori.


Ligji
Ligji i ri Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare, sipas të cilit kërkohet zbatimi i SNRF-ve për përgatitjen e pasqyrave financiare individuale dhe të konsoliduara të shoqërive tregtare me interes publik, shoqëritë e listuara, bankat e shoqëritë e sigurimeve dhe zbatimi i SKK-ve për përgatitjen e të gjitha pasqyrave të tjera financiare. Ky Ligj kërkon mbështetje nga ky Projektligj me mundësinë dhe gatishmërinë për të ndëshkuar rastet e mospërputhjes me kërkesat ligjore të raportimit financiar. Kjo arrihet nëpërmjet përfshirjes në këtë Projektligj të dispozitave që rregullojnë funksionimin dhe mbikëqyrjen e organizmave profesionalë të kontabilistëve të miratuar që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë. Gjë e cila mund të ishte përfshirë edhe në Ligjin Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare. Rregullatorët e bankave dhe të sigurimeve kufizojnë ashpër bankat dhe shoqëritë e sigurimeve në zgjedhjen e audituesve për shkak të periudhave të shkurtra të specifikuara për rotacionin e detyrueshëm të shoqërive audituese. Banka e Shqipërisë kërkon një rotacionin tre-vjeçar të detyrueshëm të shoqërisë audituese ndërsa Autoriteti Mbikëqyrës i Sigurimeve në Shqipëri kërkon një rotacion të tillë të detyrueshëm çdo dy vjet. Kjo kërkesë është më e fortë se ajo e kuadrit ligjor të BE-së dhe mund të mos e arrijë synimin e pavarësisë së audituesve duke iu lënë entiteteve një mundësi të kufizuar për zgjedhjen e audituesëve ligjor. Nga katër shoqëritë audituese të cilat aktualisht lejohen të auditojnë banka dhe shoqëri sigurimesh, vetëm dy prej tyre janë aktive në treg. Kështu që, duke përdorur një auditues për një periudhë kohe maksimale, këto entitete do të duhet të zgjedhin audituesin tjetër në treg. Kjo bën që bankat dhe shoqëritë e sigurimeve të mos kenë mundësi zgjedhjeje të shërbimeve të auditimit dhe kufizon konkurrencën në tregun e auditimit pa e konsideruar fare mundësinë për auditues të përbashkët. Prandaj ky Projektligj parashikon një afate kohore të rotacionit, duke përputhur kështu këto afate me Direktivën 8-të të BE-së.

Doganat arkëtojnë 30.3 miliardë lekë në 5 muaj
Eksportet shqiptare në 5 muajt e parë të vitit 2010 janë rritur me 161.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka publikuar dje të dhënat për ecurinë e eksporteve dhe të ardhurat nga doganat deri në fund të muajit maj. Nga këto të dhëna rezulton se eksportet shqiptarë për këtë periudhë, kanë arritur vlerën e 30.3 miliardë lekëve. Ndërkohë, segmenti i eksporteve nga përpunimi aktiv gjithashtu është rritur me 32% dhe ka arritur vlerën e 35 miliardë lekëve, në pesë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nuk ka publikuar asnjë statistikë, për sa i takon ecurisë së importeve në të njëjtën periudhë. Sipas të njëjtit burim, të ardhurat nga doganat për pesë muajt e parë të vitit janë rritur me 14.8% dhe kanë arritur afërsisht vlerën e 44.9 miliardë lekëve. Të ardhurat për periudhën dymujore qenë 15.1 miliardë lekë, (110 milionë euro), po aq sa patën qenë një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat doganore të publikuara dy ditë më parë, por që tashmë janë fshirë nga faqja e internetit. Qeveria pati programuar të mbledhë 10 për qind më shumë se një vit më parë, por kriza ekonomike ka sjellë rënien e ndjeshme të importeve të disa mallrave të rëndësishëm, gjë që ka shkaktuar edhe një deficit prej rreth 13 milionë eurosh. Ndërkohë në të njëjtën periudhë të një vitit më parë të ardhurat nga doganat paraqitën ulje në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të 2008. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë muajve janar-korrik ka një mosrealizimi të planit duke u mbledhur vetëm 56.7 miliardë lekë nga 64 miliardë që ishin parashikuar. Kjo tregon se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2009 janë mbledhur rreth 307 milionë lekë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›