Berisha viziton Kukësin, thumbon Edi Ramën për ngrohjen në shkolla
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vizitoi dje në mesditë qytetin e Kukësit për të parë nga afër situatën e rënduar të këtij qyteti për shkak të reshjeve të dëborës.
Gjatë fjalës së mbajtur, drejtuar banorëve të këtij qyteti, Berisha ka gjetur rastin të thumbojë rivalin e tij, kryetarin e PS-së, Edi Rama. “Të vijë këtu Edi Rama e të mësojë si mbahen shkollat e të mos tregojë se ka fjetur një natë në kalanë e Dodës”, - është shprehur Berisha. Më tej ai i ka përgëzuar banorët për punën e bërë për përballimin e situatës së vështirë. “Erdha t’ju përgëzoj për punën që keni bërë deri tani për përballimin e situatës dimërore, që dimri të mos sjellë pasoja të ndjeshme, pasi Kukësi është qarku më i vështirë”, - është shprehur Berisha. Më tej ai u kërkoi strukturave shtetërore që të jenë të mobilizuara për të përballuar situatat që mund të paraqiten. “Duhen bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar lidhjen e komunave me rrugët nacionale, veçanërisht për të përballuar rastet emergjente në shëndetësi. Ne kemi një flotilje helikopterësh, por jo në çdo rast mund të ngrihen, ndaj duhet një organizim që transporti i të sëmurëve të kryhet edhe me çdo mjet të mundshëm”, - u kërkoi ai drejtuesve lokalë. Kryeministri Berisha tha se Shtabi qendror i Emergjencave Civile do t’i mbështesë me fonde shtesë për shpenzimet që po kryhen gjatë kësaj periudhe, duke u kërkuar mbajtjen e gjendjes së emergjencës. Përsa u përket shkollave, kryeministri Berisha u njoh me faktin se lënda ngrohëse është e mjaftueshme në çdo shkollë. Kryeministri bëri të ditur se ashtu si deri tani, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. “Gjatë 3 viteve kemi shpenzuar vetëm për rrjetin elektrik 600 milionë dollarë, kemi rezerva ujore të mjaftueshme, ndërsa brenda dy viteve do të fusim në prodhim burime të reja të energjisë elektrike”,- theksoi Berisha. Në këtë takim të kryeministrit Berisha me drejtuesit vendorë të Kukësit merrnin pjesë dhe deputetët e kësaj zone, Jemin Gjana e Fatos Hoxha.
10 Janar 2009