E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja përcakton kriteret e reja për vlerësimin e gjyqtarëve

Ndryshimet që u bënë në mbledhjen e fundit të Këshillin e Lartë të Drejtësisë për togat e zeza. Sistemi i ri i vlerësimit ndryshon kohën që do të kenë gjyqtarët për të gjykuar një dosje

Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndryshon disa nga rregullat në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Burime zyrtare pranë këtij Këshilli shpjeguan dje posaçërisht për gazetën “Albania” se një nga ndryshimet ka të bëjë me kohën që i është lënë gjyqtarit për të shqyrtuar një çështje. Në numrin e sotëm, më poshtë sillen të plota ndryshimet që janë bërë me miratimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit. Vlerësimi i punës së gjyqtarit do të kryhet duke vlerësuar të gjitha elementet e procesit të tij të punës. Ky vlerësim do të përgatitet në formë përshkruese dhe statistikore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe do të bëhet nga vetë Këshilli.
Ndryshimet
Me vendimin e fundit të KLD-së, sistemi i vlerësimit përfshin tri faza. Faza e parë: Vetëvlerësimi i gjyqtarit dhe vlerësimi i kryetarit të gjykatës, të ndjekur nga vlerësimi i kryetarit të Gjykatës së Apelit. Faza e dytë: Projekt-akti i vlerësimit paraprak dhe përfundimtar nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Faza e tretë: Akti i vlerësimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për mundësimin e vlerësimit, pranë çdo gjykate, kancelari ngarkon një ose disa punonjës të administratës/sekretarisë gjyqësore, që janë përgjegjës për përpilimin dhe garantimin e vërtetësisë së të dhënave të paraqitura në tabela statistikore. Në këto tabela duhet të jenë të fiksuara për çdo gjyqtar: numri i çështjeve të gjykuara prej tij si relator, numri i çështjeve ku ai ka marrë pjesë si anëtar i trupit gjykues, numri i çështjeve të gjykuara tej afateve standarde të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, numri i çështjeve të ankimuara në gjykatat më të larta. Në tabelën statistikore duhet të jenë llogaritur në përqindje: numri i çështjeve të cenuara nga gjykatat më të larta (duke specifikuar çështjet e prishura dhe ato me vendime të ndryshuara) në raport me numrin e çështjeve të ankimuara, si edhe numri i çështjeve të gjykuara tej afatit standard e krahasuar me numrin e çështjeve që ka gjykuar gjyqtari si relator.
Vetëvlerësimi
Pasi të njihet me vlerësimin e kryetarit, gjyqtari ka të drejtë të kryejë një vlerësim profesional dhe etik të punës së tij nëpërmjet një akti të shkruar, sipas formularit, pjesë përbërëse e këtij sistemi, me anë të të cilit të përshkruajë veprimtarinë e tij, të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të saj dhe të shprehet mbi secilën aftësi. Të drejtën për vetëvlerësim e kanë edhe kryetarët e gjykatave. Vetëvlerësimi i gjyqtarit kryhet brenda 3 (tri) ditësh nga momenti i njohjes me tabelat statistikore, me vendimet e prishura nga gjykatat më të larta dhe me vlerësimin e kryetarit të gjykatës, duke u depozituar pranë këtij të fundit.
Vetëvlerësimi i kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë apo i kryetarit të Gjykatës së Apelit kryhet brenda 3 (tri) ditësh nga momenti i njohjes me tabelat statistikore, me vendimet e prishura nga gjykatat më të larta dhe me vlerësimin e bërë respektivisht nga kryetari i Gjykatës së Apelit, në juridiksionin e së cilës ushtron funksionin kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë apo nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Në çdo rast, vetëvlerësimi i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë, i gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, i kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose i kryetarit të Gjykatës së Apelit, shoqërohet me vendimet e përzgjedhura nga vetë ata në përputhje me përcaktimin e bërë në nenin 27, pika 1, germa “b”, të këtij sistemi, si dhe kur është rasti, me aktet që provojnë të dhënat e prezantuara në përshkrimin e veprimtarisë së tij.

Boks

Për vlerësimin e gjyqtarit do të përdoren:
Të dhënat të cilat dalin nga dosjet gjyqësore që u përkasin 20-30 vendimeve të gjyqtarit, të përzgjedhura me short nga Inspektorati;
10 vendime të prezantuara nga vetë gjyqtari;
vendimet e gjyqtarit, të prishura nga gjykatat më të larta;
të dhënat që dalin nga dosjet gjyqësore që u përkasin çështjeve të gjykuara nga gjyqtari tej afateve kohore të përcaktuara në dispozitat pjesë përbërëse të këtij sistemi;
të dhënat e rezultuara nga verifikimi i ankesave;
të dhënat e rezultuara nga inspektimi i gjyqtarit apo gjykatës.

Ndryshimet që janë bërë në sistemin e vlerësimit

Në nenin 2 të sistemit të vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, pika 4, shtohen dy paragrafë, me këtë përmbajtje:
“Për mundësimin e vlerësimit, pranë çdo gjykate, kancelari ngarkon një ose disa punonjës të administratës/sekretarisë gjyqësore, që janë përgjegjës për përpilimin dhe garantimin e vërtetësisë të të dhënave të paraqitura në tabela statistikore.
Në këto tabela duhet të jenë të fiksuara për çdo gjyqtar: numri i çështjeve të gjykuara prej tij si relator, numri i çështjeve ku ai ka marrë pjesë si anëtar i trupit gjykues, numri i çështjeve të gjykuara tej afateve standarde të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, numri i çështjeve të ankimuara në gjykatat më të larta. Në tabelën statistikore duhet të jenë llogaritur në përqindje: numri i çështjeve të cenuara nga gjykatat më të larta (duke specifikuar çështjet e prishura dhe ato me vendime të ndryshuara) në raport me numrin e çështjeve të ankimuara, si edhe numri i çështjeve të gjykuara tej afatit standard e krahasuar me numrin e çështjeve që ka gjykuar gjyqtari si relator”.

1. Në nenin 27 të sistemit të vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, te pika 1, germa “c”, shprehja “vendimet e gjyqtarit, të prishura” zëvendësohet me shprehjen “vendimet e gjyqtarit, të cenuara”.

2. Në nenin 27 të sistemit të vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, pika 1, pas germës “c”, shtohet me një paragraf, me këtë përmbajtje: “Kur vlerësohet nga inspektori i ngarkuar me verifikimin, për vendimet e prishura, mund të verifikohet i gjithë fashikulli i gjykimit”.

1. Në nenin 27 të sistemit të vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, pika 1, germa “ç”, shprehja “që u përkasin çështjeve të gjykuara nga gjyqtari tej afateve kohore” zëvendësohet me shprehjen “që u përkasin 20% të çështjeve të gjykuara nga gjyqtari tej afateve kohore”.

2. Në nenin 27 të sistemit të vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, pika 1, pas germës “ç”, shtohet me një paragraf, me këtë përmbajtje: “Përcaktimi në përqindjen e mësipërme të dosjeve gjyqësore jashtë afatit, bëhet duke hedhur short mes tyre”.

1. Në pikën 5 të vendimit “Mbi kriteret matëse të veprimtarisë gjyqësore”, paragrafi i parë, shprehja “nga data e regjistrimit të çështjes në gjykatë” zëvendësohet me shprehjen “nga data e caktimit të gjyqtarit të çështjes”.

2. Pas pikës 5 të vendimit “Mbi kriteret matëse të veprimtarisë gjyqësore” shtohet pika 5/1 me këtë përmbajtje: “Për efekt të standardit kohor të punës, numri i çështjeve të gjykuara tej afateve maksimale, nuk duhet të kalojë 40 për qind të numrit total të çështjeve të gjykuara nga gjyqtari gjatë vitit kalendarik”.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›