Topalli në Itali, pritet të takohet me Presidentin Napolitano
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjendet në Itali për të marrë pjesë si e ftuar speciale e Kolegjit Europian të Parmës, në ceremoninë e përurimit të vitit të ri akademik. Në këtë ceremoni, e cila shënon një ngjarje të rëndësishme për Kolegjin Europian të Parmës, marrin pjesë personalitete të larta të botës akademike dhe politike të Europës. Kolegji Europian i Parmës është një ndër më prestigjiozët në Europë, në fushën e përgatitjes së eurokratëve. Në tryezën e rrumbullakët me temë “Kujtesa është e ardhmja”, që do të mbahet në kuadrin e kësaj ceremonie, do të përshëndesë presidenti i Italisë Xhorxho Napolitano dhe ish Presidenti i Komunitetit Europian në vitet 1985-1994, Zhak Delor. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pritet të zhvillojë një takim të veçantë me Presidentin e Italisë, zotin Napolitano, me personalitetin europian Delor si dhe me përfaqësues të lartë të qarqeve politike e akademike europiane.
Mblidhet Shtabi i Emergjencave, Pollo: “Shkollat do ta nisin mësimin më 12 janar”
Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Genc Pollo, është zhvilluar dje mbledhja e Shtabit të Emergjencave Civile në të cilën janë diskutuar mënyrat për përballimin e situatës së rënduar nga dëbora në zonat veriore e juglindore të vendit. Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, kanë rifilluar reshjet e dëborës në disa krahina të vendit dhe është nevoja për ndërhyrje për të mbajtur të hapura akset rrugore dhe për të siguruar furnizimet thelbësore kryesore. Me vendim të shtabit u vendos që 6 automjetet borëpastruese të Xhenios që disponojnë Forcat e Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë-Fushë Arrëz-Shën Mëri-Kukës; Rrëshen-Lurë; Bulqizë-Maqellarë e në komunat e Librazhdit. Këto automjete do të mbështesin përpjekjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ndërsa mjetet specialë shtesë kanë filluar të angazhohen që nga dita e djeshme për ngritjen e 6 shtyllave të tensionit të lartë të rrëzuara nga furtuna në segmentin Lezhë-Bushat në mënyre që të rifillojë furnizimi me energji elektrike i zonave të prekura nga avaria. Shtabi i Emergjencave Civile vendosi që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me përmirësimin e pjesshëm të motit, të rifillojë mësimin në disa shkolla, ndërsa disa shkolla të tjera do të mbeten ende të mbyllura përkohësisht, deri në datën 12 janar. Shkollat që do të fillojnë mësimin në datën 12 janar janë ato të komunave të rrethit të Dibrës, të komunave të rrethit të Kukësit, të Hasit, të Elbasanit, Tropojës, e Librazhdit. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të dërgojë medikamente e ndihmë mjekësore në të gjitha krahinat ku është evidentuar mungesa e tyre dhe do t’i jepet prioritet zonave të bllokuara.
10 Janar 2009