“Ndërtimet në zonën muzeale dhe të naftës pengojnë legalizimin”
BERAT- Procesi legalizimit në qarkun e Beratit po kryhet me ritme të ngadalta. Nga rreth tetë mijë deklarime të bëra nga bashkitë dhe komunat e këtij qarku, deri më tani vetëm 200 familjarë kanë marrë certifikatat e pronësisë në dorë. Sipas drejtorit të ALUIZNI-t, Kujtim Pelivani, në këtë qark procesi është ndërlikuar për shkak të problematikave të dala gjatë shqyrtimit të dosjeve. "Gjatë shqyrtimit të dosjeve ka dalë si detyrë vendosja e bashkëpunimit mes institucioneve të tjera, pasi shumë nga deklarimet vijnë nga zonat rreth nxjerrjes së naftës në Kuçovë dhe zonave muzeale në Berat", u shpreh kreu i ALUIZNI-t. Sipas tij, në qytetin e Beratit janë bërë 2700 deklarime që vijnë nga lagjet informate, siç është "Pjeshkorja" "Kombinati", "Uznovë" etj, por dhe nga zonat e mbrojtura. Ndërkohë që nga 2370 deklarimet e ardhura nga qyteti i Kuçovës, një pjesë e madhe e tyre vijnë nga zonat përreth puseve në naftës. Shumë banorë të ardhur nga Skrapari, Gramshi dhe zonat e thella të Beratit kanë kryer ndërtime në zonën naftëmbajtëse, ndonëse me rregullore ato duhet të ndërtohen 500 metra larg puseve të naftës. "Për shqyrtimin e këtyre dosjeve, na është dashur që të vendosim një bashkëpunim me ALPETROL-in, i cili do të na japë miratimin e tij nëse këto ndërtesa pengojnë në zonën naftënxjerrëse. Janë plot 450 ndërtime në këtë zonë", u shpreh Pelivani. Ndërsa për zonën muzeale të Beratit, duke qenë pjesë e UNESKO-s, sipas kreut të ALUIZNI-t, do të merret miratimi i Ministrisë së Kulturës para se të kryhet legalizimi i banesave. d.xh