Berisha vlerëson optimizmin e Kinës për daljen nga kriza botërore
Kryeministri Berisha ka vlerësuar optimizmin e Kinës për daljen nga kriza ekonomike, duke deklaruar se shpresat e Kinës për të dalë nga kjo krizë janë të mëdha. Nisur nga fakti se Kina ka ekonominë e tretë në botë, arsye e cila ka peshë të madhe në mbarëvajtjen e ekonomisë botërore, kryeministri Berisha ka cilësuar optimiste për daljen nga kriza, platformën serioze dhe konkrete të paraqitur nga kryeministri kinez Jiabao në Forumin e BOAO.
Gjatë takimit të zhvilluar me zv/kryeministrin e Kinës, Hui Liangyu kryeministri Berisha e ka njohur me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe e siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet në vend. Duke vlerësuar zhvillimin e madh të Kinës, kryeministri tha se asnjë vend në historinë e njerëzimit nuk ka arritur të nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz, si Kina, pas përqafimit të doktrinës së DHP. Nga ana e tij, zv/kryeministri i Kinës Hui Liangyu vuri në dukje mirënjohjen e popullit kinez për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kinës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja e kryeministrit Berisha për popullin kinez dhe kontributi i tij për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, vlerësohet shumë nga qeveria kineze, e cila ka vullnet të plotë të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat si; në ekonomi, tregti, teknologji hitech , bujqësi, kulturë etj, theksoi zv/kryeministri i Kinës.