E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha zhvillon mbledhjen e fundit të qeverisë, drekon me ministrat



Kryeministri Berisha ka zhvilluar dje mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar për mandatin 2005-2009. Gjatë fjalës së tij Berisha ka vlerësuar punën e qeverisë, ndërsa ka renditur disa prej reformave të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria gjatë katër viteve të kaluara. Berisha u shpreh se të gjithë ministrat duhet të ndihen krenarë për punën e bërë, ndërsa shtoi se edhe ata ministra që nuk do të jenë në qeverinë e re gëzojnë konsideratën e tij. Kreu i qeverisë falënderoi ministrat për punën e bërë, por nuk dha asnjë detaj se cili prej tyre do të vazhdojë të jetë në kabinetin e ri. Pas mbledhjes së qeverisë Berisha shtroi një drekë për ministrat në Vilën Qeveritare 31, ku kolegët trokitën gotat dhe i uruan njëri-tjetrin suksese në katër vitet e ardhshme, ku PD-ja do të drejtojë sërish qeverinë.
Vlerësimet
“Se kush do të ulet në këto vende pas 10 ditësh apo dy javësh, edhe unë nuk e kam ende të qartë, por ata që nga ju do të mungojnë, absolutisht nuk do të mungojnë as nga moskonsiderata e Sali Berishës dhe as nga mungesa e kontributit të tyre parësor në këto katër vite”, - është shprehur Berisha. “Natyrisht, kompozimi do të jetë kompleks dhe unë jam i bindur se integriteti juaj politik është i mjaftueshëm për të mirëkuptuar zgjidhjet e ardhshme që kryeministri do të bëjë në interesin më të mirë të vendit. Edhe një herë ju falënderoj. Jashtë mediave kam vendosur të shtroj një drekë private miqësore për anëtarët e qeverisë, por para se ta mbyll dua të falënderoj përzemërsisht familjet tuaja, t’u shpreh atyre mirënjohjen time. Secili prej tyre do të mund të kishte pasur një jetë familjare më të plotë në variante të tjera, por sakrifica që kanë bërë duke mbështetur përpjekjet tuaja është një sakrificë në të mirën e familjeve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi”, - u është drejtuar Berisha ministrave të qeverisë.
Reformat
Berisha u shpreh se qeveria ka korrur reforma të rëndësishme në katër vite, duke përfshirë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, luftën kundër krimit të organizuar, zbutjen e varfërisë, rritjen ekonomike të vendit, tërheqjen e investitorëve të huaj etj. “Sot ne mbyllim mandatin, pasi ia dolëm që me reforma të thella e të gjithanshme të realizojmë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të shndërrojmë në realitet një projekt ëndërr të kombit shqiptar. Shqipërinë që sundohej nga bandat dhe krimi e bëmë një prej vendeve më të sigurta. Shqipërinë që ishte shndërruar në një kënetë të korrupsionit e bëmë vendin që bën luftën më të suksesshme ndaj korrupsionit. E shndërruam në vendin më tërheqës, e renditëm në nivelet më të larta të suksesit të reformës ekonomike dhe klimës së biznesit. Shqipërinë e kohës së ndaluar në fushën e energjisë e vumë në shinat e shndërrimit të saj në një superfuqi të ardhshme energjetike në rajon. Këto katër vite ne realizuam të paimagjinueshmen, korridorin e kombit, rrugën Durrës-Kukës, që do të mbetet vepra më madhore e punëve publike në historinë e vendit”, - është shprehur Berisha.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›