E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikat e errëta që shoqëruan qeverisjen e demokratëve në vitet 2005-2009



Përveç arritjeve të rëndësishme, të cilat kryeministri i renditi gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të qeverisë, katër vitet që lamë pas u shoqëruan nga disa skandale të bujshme ku aktorë kanë qenë ministrat më të rëndësishëm të qeverisë, si dhe familja e kryeministrit Berisha. Në katër vite qeveria është përfshirë në skandale të tilla që flasin për trafik armësh, për sulm institucioneve kushtetues, për “kapje të shtetit” apo përfshirje të familjes kryeministrore në afera korruptive, për skandale të dhunës verbale të kryeministrit dhe skandale seksuale.
Kronologjia e skandaleve
Në shtator të vitit 2005, menjëherë pas krijimit të kabinetit qeveritar, Berisha anuloi shitjen e Albtelekomit. “Nuk mund të lejojmë privatizimin e Albtelekomit më shifra tepër të ulëta”, - tha ai për “Çalik”. Por vetëm pak muaj më vonë kreu i qeverisë sërish ua dha Albtelekomin turqve. Në prill të vitit 2006, Spartak Ngjela, ish-sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike realizoi një përgjim mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha në zyrën e Jozefina Topallit. Në përgjime Ngjela e akuzoi Berishën: “Ti e ke idhull Enverin”. Berisha e përjashtoi nga partia. Biseda e përgjuar mes tyre u publikua në të gjitha mediat. Në qershor të 2006-s, nipi i Sali Berishës, Dritan Berisha, i punësuar në Ministrinë e Brendshme, shkakton një incident me armë zjarri përpara hotel “Dajtit” në qendër të Tiranës. Por edhe pse ish-ministri Olldashi e zhveshi nga policia, me ndërhyrjen e kryeministrit, nipi i Berishës u emërua në sektorin e kurrikulave në Akademinë e Rendit vetëm një vit më vonë. Në muajin prill të vitit 2007, vetëm pak ditë para vizitës së Presidentit të SHBA-ve në Shqipëri, Xhorxh Bush, pas një grindje me kryeministrin Sali Berisha jep dorëheqjen nga detyra ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili, përveç largimit nga qeveria, u largua edhe nga partia. Në korrik të vitit 2007 qeveria ndërmori një fushatë gjobash marramendëse me disa televizione me arsyetimin evazion fiskal. Një rast i paprecedent në vendosjen e gjobave nga organi tatimor. Në shtator të vitit 2007 plasi afera korruptive në nivel zëvendësministrash në qeveri. Në këtë periudhë zbulohet korrupsioni me tenderat e rrugëve dhe arrestohet zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, ish-drejtori i Rrugëve, Ilir Berzani dhe 7 zyrtarë të tjerë të administratës shtetërore. Ata kërkonin ryshfet për fitimin e tenderave nga firmat private. Po gjatë 2007-s u zbulua kontrata sekrete e Berishës prej 500 mijë dollarësh me amerikanin Tom Rixh. KLSH-ja e akuzoi kryeministrin se shkeli ligjet për Tom Rixhin. Në tetor të 2007-s plasi skandali më i madh financiar i kësaj qeverie për abuzimet në rrugën “Durrës-Kukës”. Këtë periudhë Prokuroria filloi hetimet. Hetimet e Prokurorisë çuan deri në heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës. Sipas KLSH-së, në raportin e janarit 2008 abuzimi shkon deri në 232 milionë euro. Qeveria asnjëherë nuk e bëri publik projektin dhe kontratën me firmën “Bechtel Enka”. Në nëntor të 2007-s u largua ish-drejtori i Burgjeve, Saimir Shehri. Ai akuzoi vëllanë e ish-ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali, se donte ta korruptonte për një tender te Drejtoria e Burgjeve. Vetëm një ditë më vonë, më 15 nëntor, jep dorëheqjen Ilir Rusmali. Në 2008-n u zbulua zyra e avokatisë së vajzës së kryeministrit Berisha. Studioja ligjore e saj fshihet nga Regjistri Kombëtar, ndërkohë që vajza e kryeministrit vërtetohet se kishte evazion fiskal.
Më 15 mars të vitit 2008 shënohet skandali më i madh i qeverisë, i cili del në pah pas shpërthimit të një depoje të demontimit të armëve në Gërdec. Një biznes fitimprurës për kompanitë “Albademil” dhe “SAC”, por që nga shpërthimi i Gërdecit humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 veta dhe u dëmtuan mbi 4000 prona. Tri ditë më vonë jep dorëheqjen ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërkohë që prangoset Ylli Pinari, drejtor i MEICO-s, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil-it dhe Dritan Minxolli, drejtor i fabrikës. Korrupsioni i Gërdecit dhe dosja hetimore nxorën në pah shumë elemente. Një ndër njerëzit që pretendohet nga opozita e te persona të tjerë që ka influencuar në bërjen e akteve nënligjore dhe ligjore që çuan në tragjedi është djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha. I përfshirë në këtë aferë rezultoi edhe Rahman Selmanllari, shoku i ngushtë i djalit të kryeministrit, i cili ishte administrator i kompanisë amerikane “SAC”. Në këtë aferë pretendohet të jetë përfshirë edhe ish-ministri Aldo Bumçi, i cili, vendimin e qeverisë që i hapi rrugën Gërdecit ia besoi Shkëlzen Berishës. Denoncuesi kryesor i gjithë kësaj afere u bë ish-biznesmeni Kosta Trebicka, i cili vdiq në një aksident të papritur automobilistik. Në tetor të 2008-s për publikun shqiptar bëhet i njohur Damir Fazlliç, mik i kryeministrit Berisha, i cili zotëron një sërë biznesesh në Shqipëri, të blera në sajë të konsulencës së dhënë nga avokatja Argita Berisha.
Në muajin shkurt të vitit 2009 shpërtheu skandali i Jalës, i implikuar dhëndri i kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Bëhet fjalë për prishjen e shtëpive të banorëve në Jalë me argumentin se do të zbatohej një projekt i Bankës Botërore, gjë që u mohua nga Banka Botërore. Po në pranverë të 2009-s publikohet në media skandali seksual ku i përfshirë ishte një prej ministrave të qeverisë, Ylli Pango, i cili premtoi punë në administratë në këmbim të përfitimeve seksuale. Pas publikimit të videos, Berisha shkarkon ministrin Pango. Por, gjatë këtyre katër viteve, qeveria ka shënuar një sërë sulmesh ndaj institucioneve të pavarura. Që në fillim maxhoranca bëri luftë për të shkarkuar kryeprokurorin Sollaku, por edhe pas largimit të Sollakut PD-ja dhe kryeministri Berisha vazhduan sulmin kundër kryeprokurores Ina Rama. Gjatë katër viteve Berisha ka sulmuar të dy krerët e shtetit, si ish-presidentin Moisiu, ashtu dhe presidentin aktual, Bamir Topi. Marrëdhënia e qeverisë me pushtetin gjyqësor ka qenë i vështirë dhe ka shënuar përplasje herë pas here, që me hartimin e ligjit për Prokurorinë etj.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›