E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Bashkitë të ulin taksat vendore

Kryeministri deklaron se do të ndërhyjë  për uljen e taksave lokale
Kryeministri Berisha, nga Durrësi gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Demokratike të këtij rrethi ka deklaruar se qeveria nuk do të lejojë që pushteti lokal të rrisë abuzivisht taksat ndaj biznesit. Pavarësisht deklaratave të ndërkombëtarëve se korrupsioni pengon investimet e huaja në vend, kryeministri Berisha thekson se Shqipëria është ndër shtetet më të sigurta si për investitorët, ashtu edhe turistët. Shqipëria është sot një ndër vendet më të sigurta për investime, mediat më të rëndësishme në botë e kanë radhitur vendin tonë në rangun e vendeve më të sigurta, ka theksuar kreu i qeverisë. Kryeministri Berisha tha se është partizan i taksave të ulëta, të cilat kanë dhënë rezultate befasuese dhe se qeveria nuk do të lejojë që pushteti lokal të rrisë abuzivisht taksat ndaj biznesit. Ne ulëm taksat dhe u përballëm me opozitën dhe kundërshtimet e saj. Unë kam qenë në parlament kur i bëja thirrje opozitës së bilbilave dhe borive, që të mos votonin kundër uljes së taksave. Ne, me këto taksa, shndërruam Shqipërinë në kantier. Javën e parë të kësaj qeverie, ne kemi përgjysmuar taksat për biznesin e vogël. Brenda 10 ditëve, parlamenti do të ndërhyjë padiskutim dhe do tua vendosë kufirin tek thana.  Është shumë e lehtë të urdhërosh rritje taksash, por duhet të menduar se si e nxjerr biznesmeni i vogël kafshatën, se çfarë djerse dhe mundi harxhon ai, theksoi Berisha. Duke theksuar faktin se Shqipëria nuk është prekur nga kriza e madhe ekonomike, kreu i qeverisë e krahason krizën globale me trazirat e 97-ës. Skemat piramidale dhe fondet e tyre, binin njëra pas tjetrës. Prodhimi botëror ka rënë në nivelet e 60 viteve më parë, theksoi Berisha. Ndërsa korrupsioni është një plagë, për të cilën kryeministri deklaron se nuk ka prekur qeverinë e tij. "Në këtë administratë ka të korruptuar, por nuk ka ministra të monopolizuar. Qeveria e mëparshme ishte mbushur me konflikte interesi, ministrat ishin të monopolizuar", është shprehur Berisha. Kreu i ekzekutivit i garantoi qytetarët e Durrësit për vazhdimësinë e investimeve, teksa premtoi ngritjen e një parku industrial, më i rëndësishmi në Ballkan. Shqipëria, anëtare e NATO- s, u jep garanci absolute investitorëve nga mbarë botës për ta shndërruar parkun industrial të Durrësit në njërin prej parqeve më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë, për të shndërruar Porto Romanon në një nga zonat energjetike më të rëndësishme të Ballkanit, u shpreh Berisha ku ndër të tjera përmendi edhe reformat në shëndetësi dhe në arsim, të cilat i quajti një tjetër sfidë me të cilat është përballur kjo qeveri, puna për të cilat do të vijojë edhe në mandatin e ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›