E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Institucionet e drejtësisë do të vendosin se kush janë demokristianët e vërtetë

PDK e Gurakuqi, përplasje të ashpra me Ndokën
Kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi, ka akuzuar Nard Ndokën për shfrytëzim të presionit ndaj mediave. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se drejtuesi i fraksionistëve të Partisë Demokracia Sociale, Nard Ndoka, i tmerruar nga të vërtetat që PDK ka artikuluar për të, po shfrytëzon kartën e fundit përpara pensionit politik, atë të presionit ndaj mediave. Në një situatë të një politikani mjeran, Ndoka dhe fraksionistët e partisë së Milos po tentojnë të mbyllin gojën e demokristianëve shqiptarë, duke rikthyer në këtë mënyrë të njëjtat metoda si ato të para viteve '90, diktaturës më të egër që ka njohur Europa e pas luftës së dytë botërore. Sqarojmë drejtuesin e fraksionit të PDS se nuk janë mediat ato, që përcaktojnë se kush janë demokristianët legjitimë dhe të vërtetë, por këtë e thonë dhe do ta thonë institucionet e drejtësisë shqiptare. Gurakuqi, në drejtim të PDK që gjendet afër PD, tha se Ndoka në krye të një fraksioni të majtë paralajmëron organizimin e protestave përpara godinave të televizioneve, vetëm e vetëm sepse ato pasqyrojnë realitetin demokristian në vend. I kujtojmë politikanit në prag të pensionit se, PDK është një parti që ka ditur ti rezistojë kohës, që ka ditur ti rezistojë presioneve, sikundër ne jemi të gatshëm të përballemi me Ndokën dhe fraksionistët e demokracisë sociale në çdo debat televiziv apo publik, u shpreh Gurakuqi. Sipas tij, reagimet e kryetarit të fraksionit të PDS tregojnë më së miri frikën që ai ka nga e vërteta e madhe, e vërtetë që demokristianët shqiptarë ia kanë bërë të njohur Ndokës në kongresin e Jashtëzakonshëm të PDK me 6 maj kur e shkarkuan nga kjo parti. PDK dhe kryetari i saj Anton Gurakuqi vlerësojnë Televizionin Publik Shqiptar për predispozitën e hapësirave të saj, në respekt të taksapaguesve shqiptarë, ku përfshihen edhe demokristianët e vërtetë të këtij vendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›