Në prag pandemie, vaksina e AH1N1 nuk tërhiqet
10 mijë dozat e medikamentit mbeten stoqe në spitale. Shqiptarët, skeptikë për “mbrojtjen” e teknologjisë së lartë
Shqiptarët janë skeptikë për vaksinën e gripit të derrit. Por jo vetëm kaq, shumica e tyre e ka kryer procesin e vaksinimit deri në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ka bërë që vetëm 5 për qind e 10 mijë dozave të vaksinës specifike të gripit të derrit të konsumohet si nga qytetarët ashtu edhe kategoritë e pacientëve kronikë. Ashtu siç u tha edhe në fillim vaksina nuk do të jepej me detyrim, por pavarësisht kësaj, grupi i specialistëve të ngritur për të monitoruar situatën e qarkullimit të gripit sqaroi se një pjesë e mirë e popullatës, të cilët janë më pranë rrezikut për t’u prekur nga gripi i derrit AH1N1, duhet ta kryejnë procesin e vaksinimit për të krijuar imunitet. Një javë para mbërritjes së valës së dytë të gripit të derrit, autoritetet shëndetësore raportojnë se në vend nuk ka tërheqje të vaksinës specifike të virusit pandemik, edhe pse ajo shpërndahet falas.
Nga ana tjetër, edhe punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë më pranë infeksioneve dhe kanë informacion edhe më të gjerë lidhur me mbrojtjen ndaj infeksioneve, nuk kanë kryer në masë procesin e vaksinimit. Ministria e Shëndetësisë sqaroi se vaksina të cilën ka tërhequr, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me firmën farmaceutike hungareze, është testuar dhe i ka kaluar të gjitha “provat”. Efektet e saj mund të jenë të përkohshme, pasoja këto të njohura si normale dhe transportimi, ruajtja e shpërndarja e tyre është bërë në kushtet e kërkuara nga prodhuesi.Në fund të këtij muaji, atij shkurt e deri në mes të marsit specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, duke pasur parasysh edhe direktivat e parashikimet e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, parashikojnë se do të kemi një valë të dytë të qarkullimit të gripit të derrit, por edhe të gripit të zakonshëm. Parashikohet të përfshihemi në një përhapje të pandemisë edhe më gjerë se ajo e muajit nëntor të vitit 2009.
Deri tani, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar nga analizat e kryera në vend, se kanë konfirmuar për më shumë se 6 muaj mbi 450 veta të prekur nga gripi i derrit, mesatarisht 5-6 raste çdo ditë. Por, nëse do të merreshin më shumë kampion për ekzaminim, numri do të ishte disa herë më i lartë. Aktualisht kanë dalë nga gjendja e rëndë shëndetësore tri gratë shtatzëna. Mbeten në gjendje të rëndë shëndetësore dy raste në moshë të re. Të dy pacientët janë në gjendje intubimi në terapi intensive, në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”.
Të tjerë pacientë kërkojnë ndihmë, ekzaminohen dhe shtrohen në spitalin “Nënë Tereza” në shërbimin e infektivit.
#