E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt ekonomia

KESH mbyll portat në tre HEC-et kryesore

Portat e tre hidrocentraleve kryesore në vend, Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës janë mbyllur dje dhe në asnjë prej tyre nuk ka pasur shkarkim të ujit. KESH bëri me dije dje në mesditë se u bllokuan shkarkimet edhe në liqenin e Vaut të Dejës, duke sjellë kështu një normalitet në tri digat më të mëdha të vendit tonë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, niveli i Fierzës dje në mesditë ishte 289.8 metra, nga 296 që është kapaciteti maksimal. Prurjet në këtë liqen janë 300 metra kub për sekondë, ndërkohë që nuk ka shkarkime. Ujëmbledhësi i Komanit i është rikthyer normalitetit, duke shënuar nivelin 170.75 metra, nga 175 metra që është pika maksimale. Prurjet në këtë basen ujor ishin dje 170 m kub në sekondë. Për sa i përket liqenit të Vaut të Dejës, shkarkimet janë mbyllur dje, duke shënuar nivelin e 74.85 metra, nga 76 metra që është kapaciteti maksimal. Prurjet në këtë liqen ishin dje në mesditë 70 metër kub në sekondë. Pas dy javësh shkarkimesh hidrocentralet po punojnë aktualisht me kapacitet të plotë dhe pa shkarkime nga liqenet.

METE: Rama bën monolog, e ftojmë në debat publik

Një thirrje e dytë i ka ardhur kreut të Partisë Socialiste nga dikasteri i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për debat publik. Pak ditë më parë ministri Prifti e ftoi Ramën në debat publik transparent, me qëllim që të vlerësojnë vetë shqiptarët të vërtetën. Ndërsa dje nga kjo ministri iu drejtua një thirrje e dytë Ramës, të jetë i pranishëm në një debat të hapur, jo të bëjë monolog nga selia e tij. “Dëgjuam Edi Ramën përsëri në monologun e tij të hedhë akuza dhe shpifje kundër punës së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, si dhe kundër KESH-it. Ministri Dritan Prifti i kërkoi Edi Ramës të zgjedhë njeriun më të mirë për të dalë në një debat publik me dokumente dhe prova për menaxhimin e kaskadës dhe zbatimin e ligjeve, por z. Rama si burracak vazhdon monologun duke shmangur debatin dhe transparencën”, - theksohet në njoftim zyrtar të METE-s. Drejtuesit e kësaj ministrie i sugjerojnë Ramës përballjen profesionale para shqiptarëve. “I bëjmë edhe një herë thirrje publike z. Rama të pranojë përballjen profesioniste në një studio televizive, për t’iu treguar të gjithë shqiptareve kush është e vërteta, kush punon dhe kush shpif. Burracakët bëjnë monolog, profesionistët bëjnë debat publik dhe transparence”, - deklarojnë krerët e METE-s.

KEK-u, mbi 33 mijë euro ndihmë Shqipërisë
Të gjithë punëtorët e KEK sh.a. dhe menaxhmenti i korporatës, për të ndihmuar sadopak situatën e rëndë të krijuar në veri të vendit nga reshjet e fundit, kanë vendosur t’i bashkohen iniciativës së qeverisë së Kosovës për të ofruar mbështetje financiare për banorët e Shkodrës me rrethinë të afektuar nga situata e reshjeve. Duke e parë situatën e rëndë që mbizotëron në këtë pjesë, kanë ndarë nga pagat e tyre shumën totale prej 33.572 euro. Kjo ndihmë vjen pas ndihmës që KEK i ka dhënë korporatës simotër KESH, duke marrë energji elektrike aq sa e duron rrjeti i transmisionit nga fundi i dhjetorit dhe gjatë janarit. KEK dhe KESH kanë bashkëpunim të shkëlqyer. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi KEK sh.a. ka shprehur gatishmërinë e plotë të mbetet në dispozicion për të ofruar çfarëdo mbështetje teknike ndaj KESH dhe Shqipërisë në këto momente të vështira, në mënyrë që të vazhdojë të japë ndihmën për tejkalimin e kësaj situate.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›