Shkumbini mban të bllokuar hekurudhën Tiranë-Pogradec
Elbasan
Tri ditë pas shkarjes, rreziku për trenat mbetet i lartë
Nuk është hera e parë që në segmentin Elbasan–Librazhd linja hekurudhore ka dhënë sinjalin SOS. Kështu ndodhi edhe tri ditë më parë, kur në dalje të stacionit të Mirakës, 7 km pa hyrë në qytetin e Librazhdit, treni i pasagjerëve do të respektonte tabelën “Ndalim kalimi”, pa e ditur se çfarë rreziku u kanosej disa qindra metra para një lokomotive që mezi tërhiqte tri vagonë me afro 80 pasagjerë. Në dalje të tunelit të tretë nga Elbasani, punëtorët dhe specialistët e linjës hekurudhore Elbasan-Librazhd, kishin ngritur “flamurin” e bardhë. Lumi i Shkumbinit brenda një nate kishte “ngrënë” trasenë e hekurudhës, për të mos dhënë garancinë e lëvizjes së trenit të pasagjerëve drejt Gurit të Kuq në Pogradec. Ali Terziu, punonjësi veteran i këtij segmenti hekurudhor, kishte dhënë sinjalin e alarmit para se treni i linjës Tiranë-Pogradec të lëvizte mbi këto shina. Gërryerjet e Shkumbinit rrezikonin seriozisht trasenë e hekurudhës ndaj dhe tragjedia mbeti thjesht një “ëndërr e keqe” mes udhëtarëve. Që prej tri ditësh, në segmentin hekurudhor Elbasan–Librazhd, te tunelet e Murrashit janë stacionuar 23 punëtorë të hekurudhës me leva e lopata për të “siguruar” rreth 500 metra linjë hekurudhore. Në fakt, përkundër përkushtimit, punëtorët vetëm sa kanë “gërvishtur” hapësirat mes traversave prej druri e betonit. E ndërtuar që në vitin 1970 dhe e vënë në punë aty nga viti 1973, pjesa e trasesë hekurudhore, pas dhjetëra viteve “dyluftim” me Shkumbinin, tashmë mund të thuhet se e ka humbur betejën. Askush nuk jep garanci dhe askush nuk ka mundësi të bëjë asgjë. Sipas specialistëve të hekurudhës, mjetet e rënda që mund të zbutnin vërshimin e ujërave të lumit, janë stacionuar në qytetin e Elbasanit dhe presin urdhër nga Durrësi për të vepruar. Aktualisht, dy prita në një distancë 100 metrash nga njëra-tjetra, janë gati të përmbyten për vete, ndërsa lumi bën punën e tij pa pushim. Mjafton edhe një shi si ai i dy ditëve më parë dhe mbi trase mund të mbeten vetëm shinat. Tre vjet më parë në këtë segment janë investuar 400 milionë lekë për riveshjen e trasesë dhe ngritjen e pritave, por për to mund të “përgjigjet” vetëm Shkumbini se ku kanë shkuar.
#