E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak çel vitin me sherrin për buxhetin

Mblidhen anëtarët, mbetet pa u miratuar buxheti i vitit 2010. Konsensus për ndihmat e përmbytjes

Anëtarët e Këshillit Bashkiak e kanë nisur “mbarë” vitin e ri. Në mbledhjen e parë të këtij institucioni është mbjellë fara e sherrit, ashtu siç u mbyll edhe viti i kaluar.
Mbledhja ka nisur në orën 18.00 dhe si çdo fillim është diskutuar rendi i ditës. Veç vendimeve të vitit 2010, këshilltarët kanë diskutuar edhe për disa vendime të mbartura vitin e kaluar, diskutime që duhej të ishin mbyllur deri në dhjetor.
është gjetur gjuha e bashkëpunimit dhe palët kanë rënë në konsensus lidhur me iniciativën e dhënies së ndihmave për viktimat e përmbytjes në veri të vendit nëpërmjet një fondi prej 40 milionë lekësh të reja. Por debat me nota të forta ka pasur çështja e miratimit të buxhetit për vitin 2010, njësoj si një vit më parë. E njëjta situatë ka qenë një sekuencë e përsëritur edhe në mbledhjen e këtij viti. Edhe një vit më parë, buxheti për vitin 2009 u miratua pas tre muajsh. Mes debatesh të forta, sherre, akuza, vonesa, kërkesa me 24 vota pro në muajin mars arriti të miratohej buxheti. Më pas sherri e shamata është pjesë e zakonshme dhe e paevitueshme e të gjitha mbledhjeve mes anëtarëve të këshillit. Ashtu siç thanë edhe disa nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, salla e këtij institucioni është kthyer në një arenë beteje mes forcave politike.
Vendimet e miratuara
Anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk kanë miratuar projektvendimin “Për miratim dhënie burse shteti nxënësve dhe studentëve për vitin shkollor 2009-2010”, projektvendimi “Për trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë”, si edhe projektvendimin “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
Vendime të mbartura
Nga mbledhja e kaluar kanë qenë të mbartura disa vendime.Projekti “Për zbritjen e vlerës financiare të objekteve çerdhja Bregu i Lumit, çerdhja Nr. 42 dhe çerdhja Nr. 52, nga kontabiliteti i Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve”, si edhe vendimi “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të 19 mjeteve (autobusë) të Ndërmarrjes Parku i Transportit Urban të Udhëtarëve, Tiranë” kanë qenë dy nga “punët” e mbartura gjatë vitit të kaluar. Projektvendimi për “Miratimin në parim të objekteve, për financimin nga granti konkurrues, për zbritjen e vlerës financiare të pjesës që do të demolohet në objektin ‘Korpusi kryesor’, nga kontabiliteti i ndërmarrjes ofiçina e automjeteve Tiranë, me qëllim zbatimin e projektit ‘Rikonstruksioni i Bllokut 22’” ishin dy vendime të tjera të mbartura nga 2009-a, që nuk u miratuan në mbledhjen e parë të 2010. Po ashtu mbeti pa u miratuar edhe projektvendimi “Për vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor”. Buxheti si dhe vendimet e tjera u shtynë për diskutim në mbledhjen e ardhshme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›