Berisha:Të bëhemi prodhues të mëdhenj të arrorëve
Kryeministri Berisha ka deklaruar se projekti për arrorët është i vonuar pasi sipas tij “Shqipëria arrore” është tashmë një realitet. Duke folur në një konferencë të organizuar për arrorët, kryeministri Berisha e ka cilësuar Shqipërinë një Kaliforni të vogël në raport me këtë dru frutor, ndërsa ka kërkuar angazhim total për këtë projekt që shumë shpejt do të shndërrohet në sukses të padiskutueshëm.
“Shqipëria është toka e arrorëve pasi ato rriten nga Konispoli në Vermosh. Arrorët krahasuar me potencialet e tyre të jashtëzakonshme janë jo ekzotike por sporadike. Ky projekt është i një rëndësise të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit” ka theksuar Berisha.
Berisha ka pranuar suksesin me projektin për ullirin, i cili shkoi në 50 milionë rrënjë, ndërkohë që ka theksuar se me arrorët mund të shkohet në 200 milionë.
“Arrorët do i japin një pamje krejt tjetër zhvillimit të vendit, ne bëjmë hapat më të mëdhenj në drejtim të zhvillimit jeshil të Shqipërisë. Për këtë duhet të kthehet në axhendë të qeverisë, universitetit, qarqeve, komunave. Projekti do ketë sukses të plotë pasi ne të kemi krijuar të gjithë ekspertizën shkencore. Duhet të bëhemi ndër prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve, pasi Europa importon 2 milionë tonë cdo vit”- tha ai.
Kryeministri Berisha ka theksuar gjithashtu se qeveria është e vendosur të rrisë financimet për ta ndërsa ka shtuar se këtë vit është dyfishuar fondi për këtë projekt të rëndësishëm.