Berisha:Viti 2010, do jetë ai i privatizimeve

Kryeministri Berisha tha se këtë vit do të vazhdojë privatizimi i aseteve shtetërore ndërsa të ardhurat edhe të provatizimeve të vitit të kaluar, do të përdoren nga qeveria pr kompensimin e ish-pronarëve.
"Vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë", është shprehur kryeministri Berisha.
Nën drejtimin e tij, është zhvilluar sot një takim lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë të fushës.
Duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, Kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimin e të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri.
"Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme", citon zyra e shtypit, Kryeministrin Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë.
Në këtë takim Kryeministri Berisha u shpreh:
"Ky është takimi i radhës për një nga problemet në parim më madhore të qëndrimit tonë në rrafshin ekonomik, problemin e privatizimit.
Ne kemi shënuar para këtij viti sukseset më të mëdha në privatizimin e të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por ne duhet të kompletojmë privatizimin e të gjitha aseteve, e cila është e domosdoshme, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet.
Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit.
Në këtë proces ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në Shqipëri dhe kudo një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit. Pra, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme".
Berisha tha më tej në fjalën e tij se armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Sipas kryeministrit, korrupsioni përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë.
Armiku i dytë është burokracia jonë , e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe", theksoi Berisha.
Kreu i qeverisë u tha ministrave se privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ju drejtoni.
"Ne jemi shumicë dhe kemi pushtetin për të marrë çdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurë në interesin më të mirë. Natyrisht, vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë", ka pohuar më tej kryeministri Berisha