E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berishën e do Hajduku, Totenham sulm për Canën

 

Jetmir Halilaj

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Besart Berisha, ka shanse që kampionatin e ardhshëm të luajë për Hajdukun e Splitit. Mediat kroate pohojnë se një menaxher i ka propozuar Hajdukut Besart Berishën si zgjidhje për problemet e kësaj skuadre në sulm. Mirëpo, kjo është hedhur poshtë nga menaxheri i futbollistit, Hener Janzen. “Mbrëmë (të enjten) më ka kontaktuar një person nga Kroacia, sigurisht i afërt me Hajdukun, i cili është interesuar për shërbimet e futbollistit tim dhe mundësinë e kalimit eventual të tij në ‘Poljud’. Pra, aktualisht ka kontakte zyrtare me klubin dhe ne jemi të hapur për Hajdukun”, ka thënë menaxheri i Berishës, Hener Janzen, për sajtin kroat Index.hr. Ndërkohë, gazeta “Slobodna Dalmacija”, e cila është e afërt me ekipin nga Spliti, ka shkruar se menaxheri kosovar, Enver Raça, ishte ai që ia ofroi Berishën skuadrës së Hajdukut. Raça jeton në Kroaci.
Tratativa
“Për sulmues është kandidat edhe shqiptari Besart Berisha, i cili sezonin e kaluar ishte futbollist i Bërnleit. Nëse menaxheri Enver Raça do të ishte futur më herët në bisedime, ndoshta Berisha tani do të ishte pjesë e kësaj skuadre. Kështu, Berisha duhet të presë që Hajduku, para se t’i shqyrtojë të dhënat e tij, të sqarohet me lojtarët si Djite, Rodiç, ndoshta edhe Cernat e Gligorov. Po ashtu duhet dhënë vlerësimet edhe për brazilianët që pritet të vijnë në prova”, ka shkruar “Slobodna Dalmacija”. Sulmuesi i Shqipërisë, Berisha, ka edhe një vit kontratë me klubin anglez Bërnlei. Bërnlei edicionin e ardhshëm do të luajë në Premier Ligë. Prishtinasi 23-vjeçar Bërnleit iu bashkua para dy vitesh, por ende nuk ka debutuar me këtë skuadër në ndeshje zyrtare. Fillimisht për shkak të lëndimit mungoi rreth një vit. Më pas në verë të vitit të kaluar u huazua në Rozenborg të Norvegjisë për gjashtë muaj. Së fundi, në pranverë po ashtu u huazua këtë herë te ekipi danez Hors ens.
Cana
Totenhami është rihedhur në sulm për Lorik Canës, sapo drejtuesit e klubit anglez kanë marrë vesh se Marseja ka refuzuar ofertën e Hamburgut prej tetë milionë eurosh për kartonin e shqiptarit. Media britanike bën të ditur se gjatë këtyre ditëve do të ketë një takim edhe me babain e futbollistit, që është njëkohësisht edhe menaxheri i Canës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›