E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Xhekson, goditja fatale nga një qetësues

 

Ilaçet e shumta dhe operacionet plastike mendohet se janë shkaku i vdekjes së Majkëll Xheksonit. I konsideruar si mbreti i muzikës pop, por edhe një Piter Pan i përjetshëm, Xhekson vdiq në moshën 50-vjeçare. Lajmi i humbjes së tij u shoqërua me lot dhe polemika në të gjithë botën, por më së shumti në rrethin e tij të afërm. Rreth vdekjes, shkaktuar nga një infarkt kardiak qëndron një tis misteri, që ka rrethuar Xhekson edhe gjatë kohës që ishte gjallë, sidomos viteve të fundit. Gjatë ditës së djeshme u zhvillua edhe autopsia e trupit të tij, por do të duhen javë të tëra për të përcaktuar nëse vdekja lidhet me përdorimin e drogës, alkoolit, apo ilaçeve të dhëna nga doktorët. Nëpër media, por edhe mes njerëzish që e njihnin nga afër Xheksonin qarkullon ideja, që infarkti është shkaktuar, për shkak të qetësuesve që ai ka marrë. Madje, thuhet se goditjen fatale ia ka dhënë pikërisht injeksioni i fundit me demerol. Ish-menaxheri dhe miku i tij, Tarak Ben Ammar ka akuzuar mjekët që e kishin nën kontroll si “kriminelë e sharlatanë”. “Është e qartë që në këtë situatë kriminelët kanë qenë mjekët, që e kanë kuruar gjatë karrierës së tij, që shkatërruan fytyrën e tij, që i kanë dhënë ilaçe për të zbutur dhimbjet”, - ka deklaruar për radio Europe1. Sipas tij, Xhekson merrte vazhdimisht ilaçe për gjumë dhe vdiq nga infarkti “sepse merrte çdo lloj ilaçi”, por ai siguron që këngëtari nuk merrte drogë. Avokati dhe zëdhënësi i familjes së Majkëll Xhekson, Brajan Oksman, ka deklaruar se mbreti i pop-it mund të ketë abuzuar me ilaçet, që po merrte në prag të koncerteve të tij në Londër. Ai ka shpjeguar për CNN, që Majkëll Xhekson po kurohej nga dhimbjet që i shkaktonte një frakturë e vjetër në krahë dhe problemet me vertebrat, të cilat i ishin shfaqur pas një rënieje gjatë një koncerti. Kështu mendonte të përballonte më mirë provat për 50 spektaklet që e prisnin. Me anë të tyre ai shpresonte të lante një mal me borxhe që kishte. Sipas mediave, mësohet se ai i kishte kreditorëve të tij 400 milionë dollarë. 
Por Xhekson nuk abuzonte vetëm me ilaçet, por edhe me operacionet plastike, të cilat e shndërruan nga një djalë me ngjyrë në një lëkurëbardhë, duke rrezikuar më pas të mbetej pa hundë, madje edhe pa veshë, prej të cilëve i merrnin lëkurë, për të ndërtuar hundën.
Pavarësisht polemikave, shumë miq shprehin dhimbjen për humbjen e tij, që nga Liz Taylor, Madonna, Liza Minnelli, etj., me të cilët Xhekson kishte miqësi gjatë viteve ’80. “Nuk resht dot së qari: gjithnjë e kam admiruar Majkëll Xhekson. Bota ka humbur një njeri të madh, muzika e tij do të jetojë përgjithmonë”, - është shprehur Madonna. Elton Xhon, që ishte i impenjuar me një koncert në Londër, kur mësoi lajmin i kushtoi atij një këngë të titulluar “Don’t let the sun go down on me”. Liz Taylor u shpreh për mediat amerikane se “ishte tepër e dërrmuar për të dhënë një deklaratë”. Aktorja ka pasur gjithnjë një raport të ngushtë me këngëtarin dhe trishtimin e saj ia ka shprehur edhe mediave. “Bota ka humbur një ikonë që i dha botës një thesar me këngët e tij. Shpresoj që të gjejë paqen që meriton, pas shumë vuajtjeve”, - është shprehur Sofia Loren.

Operacionet
Kurat për ndryshimin e pigmentit të lëkurës, operacionet plastike, anestezitë dhe ilaçet e shumta, mes të cilave shumë qetësues e somniferë, duket se ishin shkaqet e vdekjes së Majkëll Xhekson. Këto goditje të njëpasnjëshme e kishin dobësuar zemrën e yllit të popit, e cila u dorëzua pas injeksionit të fundit me demerol. Sipas specialistëve, operacionet plastike kanë të njëjtin rrezik për jetën dhe lënë të njëjtat pasoja si edhe operacionet e tjera, madje ato mund të shkaktojnë edhe emboli pulmonare. Vitet e fundit operacionet plastike në fytyrën e Xheksonit ishin bërë sistematike.

Karriera
Majkëll Xhekson lindi në 29 gusht 1958. I lindur në një familje artistësh, ai ka performuar qysh në moshën 11-vjeçare. Do të ishte pjesë e grupi “The Jackson 5”, por shumë shpejt do të shkëputej prej familjes, për të vijuar karrierën e tij i vetëm dhe tepër i suksesshëm. Gjatë karrierës së tij ka nxjerrë disqet “Got to Be There” (1972), “Ben” (1972), “Music and Me” (1973), “Forever, Michael” (1975), “Off the Wall” (1979), “Thriller”(1982), “Bad” (1987), “Dangerous” (1991), “History” (1995), “Invincible” (2001). Ka marrë shumë trofe, duke hyrë edhe në rekordet “Guiness”, si njeriu më i suksesshëm në të gjitha kohërat.

Borxhet

Vdiq duke lënë pas një borxh prej 400 milionë dollarësh. Pavarësisht fitimeve marramendëse prej shitjeve të disqeve në të gjithë botën, rreth 750 milionë syresh, stili ekstravagant i jetës e kishte zhytur në borxhe. Për të marrë kredi bankare, i ishte dashur të hipotekojë thesarin e tij më të çmuar, katalogun “ATV Music”, të cilin e kishte përvetësuar në vitin 1985 për 47,5 milionë dollarë e që ishte kthyer në një minierë të vërtetë ari, si dhe fermën e tij Neverland, ku u vendos me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë procesit të vitit 2005, për ngacmime seksuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›