E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjeshmëria e politikës për gruan

Agim Neza 

... Një miku im që ka vite që zgjidhet deputet i Partisë Socialiste në parlamentin shqiptar, pasi kishte ndjekur një debat televiziv të ashpër midis disa femrave kandidate për deputete të partive të ndryshme, më thoshte këto ditë: “A durohen gjithë këto gra në parlamentin shqiptar. Druaj se do ta bëjnë lëmsh parlamentin. Më duket jemi ankuar kot nga ndonjë deputete e parlamentit të mëparshëm!”
   Për momentin, ndoshta miku im kishte të drejtë, por në konceptin më të gjerë mendoj se është një gjë shumë pozitive që po tregohet përkushtim për gruan dhe rolin e saj në shoqërinë tonë. Kjo edhe për faktin se sipas të dhënave të fundit (maj 2009) të Unionit Ndërparlamentar Botëror, Shqipëria renditet në vendin e 116 për pjesëmarrjen e grave në Parlament. Kjo shifër është një aspekt nënvleftësues që ne kemi treguar gjer tani në lidhje me rolin e gruas në jetën politike shqiptare. Aq më tepër që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se pjesëmarrja e gruas në politikë është pjesë e civilizimit të një shoqërie.
   Në parim të gjithë ne kemi dhembshuri dhe respekt të veçantë për nënat dhe motrat tona. Jemi shumë më të ndjeshëm për vajzën tonë se sa për djalin, por në realitet akoma nuk iu kemi krijuar hapësirat e duhura për të qenë pjesë e qeverisjes të vendit tonë.
  Është mëse e kuptueshme që gruaja, për nga natyra, shpirtërisht parapëlqen më shumë lirinë sesa shtypjen. Por në realitetin tonë ka shembuj të shumtë ku gruaja keqtrajtohet nga bashkëshorti, ku gruaja konsiderohet thjeshtë si një “shërbëtore” e burrit për të gjithë punët e shtëpisë. Në veçanti kjo dukuri zotëron në zonat rurale.
  Në thelb çdonjëri prej nesh mendon se është e natyrshme që gruaja duhet të jetë e barabartë me burrin dhe të jetë pjesë aktive e shoqërisë. Për mendimin tim dëshirat dhe aspiratat e gruas kanë qenë më të kuptueshme se asnjëherë tjetër gjatë kësaj fushate zgjedhore. Në veçanti kjo është reflektuar në takimet e suksesshme të kryetares së Parlamentit, znj. Jozefina Topalli me gratë.
   Kam bindjen se në këtë rast nuk bëhet fjalë për gra “demokrate” apo “socialiste”. Çdonjëri është i bindur se nuk mund të mbushësh sheshe apo pallate sporti vetëm me gra “demokrate”. Mendoj se shpjegimi është i thjeshtë, të gjitha gratë pjesëmarrëse në këto mitingje duan të shprehin se me lirinë e fituar me sakrifica, janë të gatshme të marrin pjesë aktive në jetën e shoqërisë, janë të afta të shprehin mendimet e tyre në debat, janë të gatshme për të zgjedhur përfaqësuese që e kanë treguar veten të denja me veprimet e tyre. Madje, në këto takime, krahas kënaqësisë që ato ndjejnë që një grua ka arritur me aftësitë e saj të bëhet Kryetare Parlamenti (për herë të parë në historinë shqiptare), ato e shikojnë të nesërmen e tyre si kryetare parlamenti, ministre apo anëtare Parlamenti?.
  Pavarësisht nga rezervat e mia që mund të kem për kryetaren e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, mendoj se nisma e saj dhe përkushtimi i veçantë për dinjitetin e gruas dhe mesazhi që ajo ka përcjellë tek gratë është për t’u vlerësuar, aq më tepër kur znj. Topalli thotë: “Gjitha gratë janë demokrate”, që nënkupton për mendimin tim se gratë, qofshin këto “socialiste” apo “demokrate”, ato kanë shpirtin e sakrificës, shpirtin e tolerancës, shpirtin e kompromisit dhe aftësinë për të qenë pjesë e qeverisjes të një vendi.
  Në këtë kuadër mendoj se liri dhe përfshirje e gruas në politikë do të thotë përgjegjësi, jo çlirim nga përgjegjësia.
   Gjithashtu kur gratë me interesa të përbashkëta mblidhen së bashku, zërat e tyre bëhen të ndjeshëm, kurse mundësitë e tyre për të ndikuar në debatin politik shtohen.
   Shembujt në botë janë konkretë ku gratë kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në politikë, siç mund të jenë Margaret Theçer, Benazir Bhutto, Hilleri Klinton, Angela Merkel etj. Këto figura të politikës botërore kanë treguar se mund të bëjnë atë që bën një burrë shteti, si dhe kanë provuar se më shumë kanë menduar dhe mendojnë për gjeneratat e ardhshme se sa për zgjedhjet e ardhshme.
   Mendoj se ndjeshmëria e politikës për gruan gjatë kësaj fushate ka treguar se klasa jonë politike në përgjithësi e ka kuptuar se demokracia kërkon bashkëpunim midis burrave dhe grave, midis të rinjve dhe të rejave, kompromis dhe tolerancë midis të gjitha palëve.
  Shpresoj që parlamenti i ardhshëm të ketë gra dinjitoze për të përfaqësuar denjësisht femrën shqiptare, që miku im deputet të mos më thotë: “A të thashë, gjithë këto gra do ta bënin lëmsh e li parlamentin...!” 
  Përfaqësimi dinjitoz i grave në parlament është një sfidë për vetë rolin e gruas në të ardhmen. Me shpresën se nuk do të zhgënjejnë opinionin publik dhe ata që i kanë promovuar.
  Nga ana tjetër, shpresoj dhe besoj se pjesëmarrja e grave në politikë do të ndikojë në zbatimin e modelit amerikan në Shqipëri se: “Zgjedhjet demokratike nuk janë luftë për ekzistencë, por garë për t’i shërbyer shoqërisë sa më mirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›