E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Ndaj Tunizisë, jo vetëm lojë të mirë, por edhe rezultat

 

Kombëtarja shqiptare U-20 ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit para debutimit në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”. Stërvitja e fundit e skuadrës është zhvilluar në stadiumin e “Francavilla”, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Artan Bushati do të përballen sot në orën 17:00 me skuadrën e Tunizisë. Trajneri Bushati është shprehur i kënaqur me gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion për këtë aktivitet. “Kemi mbyllur përgatitjet për këtë ndeshje e cila është e para në këtë aktivitet për Kombëtaren Shqiptare. Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe kemi impenjimin maksimal për të dhënë më të mirën tonë në këtë sfidë të turneut”, u shpreh trajneri Bushati. Kundërshtari i kuqezinjve, Tunizia, ka barazuar 2-2 me Spanjën në ndeshjen e parë në grup. “Kemi një avantazh minimal pasi e kemi parë këtë skuadër në ndeshjen kundër Spanjës dhe njohim vlerat e saj. Do të përpiqemi të shfrytëzojmë mangësitë e shfaqura nga kundërshtari për të arritur një rezultat të kënaqshëm dhe të rëndësishëm për përfaqësuesen tonë, gjithmonë duke vënë theksin të loja e mirë ku nëpërmjet saj të evidentohen elementet e rinj të skuadrës tonë. Lojtarët janë të përqendruar maksimalisht dhe kjo është më e rëndësishmja”, përfundoi Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›