E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në fotografitë e vjetra të Karapicëve

 

Aty është xhamia e Karapicëve që nuk është më prej shumë vjetësh, kulla me kambanore, në qendër të qytetit, rrugët e gjera, sot të ngushtuara... Një Tiranë që nuk është më. I kthyer për pak kohë nga Amerika, Adrian Karapici ka vendosur t’i bëjë një dhuratë bashkëqytetarëve të tij, “tironsve të vjetër”, por më së shumti farefisit të tij. Prej dy ditësh në ambientet e Galerisë FAP, të fakultetit të Arteve pamore është hapur një ekspozitë fotografike, me fotografi të vjetra të Tiranës, titulluar “Memorie, Tirana në sytë e familjes Karapici”. Janë 60 syresh në përmasat 30 x 40, që i përkasin kryesisht viteve ’20-’40 të shekullit të kaluar dhe shumë pak viteve ’50-’60. Sipas organizatorit të kësaj ekspozite, Adrian Karapici, fotografitë janë riprodhime të fotove dhe kartolinave, që trashëgoheshin në familjen e tij dhe në të afërm të tjerë. Një proces ky i realizuar nga fotografi Roland Tasho. Janë foto të vjetra të Tiranës, që tregojnë xhaminë e qendrës, pazarin e vjetër, Rrugën e Dibrës, së Kavajës, të Barrikadave, por edhe xhamia e Karapicëve, mbi të cilën në kohën e Zogut u ndërtua bashkia, për t’u prishur në vitin 1978. Idenë për të hapur këtë ekspozitë kishte kohë që e bluante, por priste momentin e duhur. Ardhja nga Amerika, por edhe atmosfera e lodhshme zgjedhore e shtynë të realizonte këtë aktivitet, i cili jo vetëm ngjallte nostalgji për qytetin e dikurshëm, por ishte edhe një mundësi e mirë për t’u mbledhur e për të ndarë kujtime. “Ishte një rast shumë i mirë për t’u takuar me njëri-tjetrin, madje gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës mësova shumë gjëra të reja mbi familjen time, apo mbi Tiranën, që nuk i dija më parë”, - thotë Karapici. “Kështu mësova se me paratë që mbreti Zog u dha Karapicëve për shembjen e xhamisë, mbi të cilën u ngrit bashkia, u ndërtua medreseja, pasi paratë e fituara nga një objekt fetar, nuk mund të përdoreshin për asgjë tjetër, veçse për të ndërtuar një tjetër objekt kulti”, - tregon ai. Në ambientet e galerisë, Adrian Karapici është kujdesur të vendosë edhe një libër mbresash, ku vizitorët shkruajnë jo vetëm mendimin e tyre mbi ekspozitën, por edhe kuriozitete, apo kujtime mbi qytetin. Ekspozita, e cila u hap me mbështetjen e shoqatës “Tirana”, do të qëndrojë edhe sot paradite e hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›