Fillon gjykimi për vrasjen e policit në Mirditë
03/12/2004 TIRANË –Fillon gjykimi për tre kushërinjtë nga Mirdita, akuzuar për vrasjen e policit Fran Lleshi dhe djalit të tij 15-vjeçar, Ervin Lleshi. Gjyqi është duke u zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Tre djemtë e rinj nga një fshat i Mirditës, ishin ulur njëri pas tjetrit në kafazin e hekurt dhe me shumë qetësi dëgjuan kërkesën për gjykim. Edmond Çupi, Besmir Çupi dhe Fatmir Çupi, janë tre të pandehurit, të cilët, pasi kryen vrasjen në bashkëpunim, u dorëzuan në polici në datën 28 qershor. Ngjarja e rëndë që vuri në pranga tre kushërinjtë e rinj në moshë, ka ndodhur në Mirditë, më 9 qershor. Sipas prokurorit të Krimeve të Rënda, i cili lexoi dje kërkesën për gjykim, ekzekutori i Fran dhe Ervin Lleshit ka qenë Edmond Çupi, i cili është vetëdorëzuar në komisariatin e Shkodrës. Prokurori theksoi se, Edmondi ka patur mosmarrëveshje më parë me Franin, i cili në postin e efektivit të policisë, e kishte urdhëruar të pandehurin që të paraqitej në gjykatë, i thirrur për zgjidhjen e martesës së tij. Rezistenca që kishte bërë Çupi para Lleshit është pasuar me grindje mes dy palëve dhe në mesditën e 9 qershorit, së bashku me dy kushërinjtë, Edmondi i kishte bërë pritë makinës së policit. Nga ky akt mbetën të vrarë në vend polici me të birin si dhe janë plagosur mësuesi i fshatit Kçirë, P.Nikolli dhe punonjësi i postës, B.Lleshi.