E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Berlinwasser” paralajmëron falimentimin

01/06/2005  Kompania gjermane pas dy vjet menaxhimi të ujësjellësit ka dhënë dje alarmin

DURRES - Kompania gjermane, e cila gjendet në Durrës, që prej dy viteve, për të menaxhuar ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, ka paralajmëruar falimentimin e saj.

Ka qenë menaxheri teknik i kësaj kompanie, Joseff Tratler, i cili ka bërë deklarimin për largim, duke afruar edhe arsyetimet e kompanisë për krizën financiare, në të cilën ata gjenden.

Në deklarimet e tij, menaxheri është shprehur se, “nëse nuk ndryshon situata në dy vite, sipërmarrja e kompanisë sonë është e falimentuar”.

Ai ka kuptuar me këtë rritjen e nivelit të arkëtimeve, uljen e humbjeve dhe ndryshimin e çmimit të ujit.

Prag falimentimi

Sipas Tratler, shkaku kryesor që po shtyn drejt krizës “Berlinwëasser” është kosotja e lartë e prodhimit të ujit të pijshëm që vjen nga Fushë Kuqe në Durrës, duke përshkuar afro 45 -50 km, ndërsa çmimi i tregtimit të ujit për m3 është shumë nën kosto.

“Kompania nuk do të ketë mundësi të përballojë pambarimisht humbjet, që vijnë si pasojë e çmimit aktual të tregtimit të ujit, nga njëra anë dhe nivelit të ulët të arkëtimit nga ana tjetër”, tha menaxheri teknik i “Berlinwasser”.

Nga bilanci që kjo kompani ka bërë që nga koha e fillimit të aktivitetit menaxhues të ujit në Durrës, arkëtimet e faturës së ujit janë shumë të ulëta dhe për këtë arsye ata kërkojnë që të gjejnë një rrugë të mundshme për të kapërcyer situatën.

Që kompania të mbahet në këmbë, duhet të rritet çmimi i ujit, janë shprehur ata, por pa dhënë asnjë shifër konkrete se sa do të ishte ky çmim, që gjermanët të shpëtonin nga falimentimi. Kjo gjë në fakt duket se do të bëhet e parealizueshme për momentin, ndërsa burime nga ujësjellësi thonë se kompania përpiqet të gjejë justifikimet e saj për të larguar përgjegjësinë, lidhur me problemet e mbartura në furnizimin e popullatës me ujë.

Furnizimi me ujë

Menaxheri gjerman dje ka deklaruar se aktualisht në Durrës vjen 5 mijë m3 ujë më shumë se një vit më parë, duke e çuar sasinë e ujit nga 26 mijë në 31 mijë m3 ujë.

Konsumatori familjar paguan 35 lekë për m3 ujë pa TVSH, ndërsa ekspertët e kompanisë thonë se kostoja e prodhimit të ujit të pijshëm, derisa uji shkon te qytetari arrin në 75 lekë për m3.

Një shifër e tillë është pranuar edhe nga specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit sh.a Durrës, ndërkohë që janë kundër politikës së rregullimit të bilancit përmes rritjes së çmimit.

“Ajo që duhet të marrë përsipër kompania është furnizimi i popullatës me ujë”, ka thënë drejtori Artan Zaimi.

E vetmja çështje e diskutueshme, sipas drejtorit të ujësjellësit është diskutimi për mënyrën e menaxhimit.

“Berlinwasser” ka lidhur kontratë për menaxhimin e këtij sektori në katër prefektura të vendit, përfshirë edhe atë të Durrësit në gusht të vitit 2003.

Por kriza e “Berlinwasser” duket se lidhet me mosmarrëveshjet e lindura mes kompanisë dhe pushtetit vendor, ndërkohë që drejtuesit e Qarkut dhe të Bashkisë janë shprehur shumë kritik në adresë të kësaj kompanie. Kërkesa për rritjen e çmimit të ujit është bërë edhe para rreth gjashtë muajsh nga kompania gjermane, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga kryetari i këshillit të Qarkut, Genci Alizoti, duke pohuar se “ne nuk do të marrim parasysh asnjë kërkesë për rritje të çmimit të ujit, për sa kohë ju nuk përmirësoni furnizimin me ujë për popullatën”.

Sezoni ka filluar

Plazhi edhe me ujë edhe pa ujë

DURRES - Në plazhin e Durrësit edhe do të ketë, edhe nuk do të ketë ujë. Sado paradoksale të duket, kjo është e vërteta.

Megjithëse bregdeti i Durrësit, dhe sidomos Plazhi, ka nisur të presë pushuesit e parë, autoritetet menaxhese të ujit nuk kanë mundur të japin saktësisht sa orë ujë do të ketë, cili do të jetë orari i lëshimit të tij dhe sa është kërkesa për ujë.

Menaxheri teknik i kompanisë ““Berlinwasser””, Joseff Tratler, ka thënë se në zonën e Plazhit problemet e furnizimit me ujë të pijshëm do të jenë të ndjeshme edhe këtë vit, megjithë përmirësimet e bëra. Një deklarim i tillë i bërë pikërisht në prag të fillimit të sezonit turistik dhe në një kohë kur autoritetet lokale kishin marrë prej tyre garanci se Plazhi do të ketë ujë të mjaftueshëm për banorë e turistë, është pasuar edhe nga pohime të tjera aspak premtuese.

Sipas Tratler, ende ata nuk kanë një statistikë për sasinë e

kërkesës që ka zona e Plazhit që vitin e kaluar ka pritur 200 mijë pushes dhe as nivelin e prurjeve.

“Nuk dihen prurjet hyrëse në Plazh dhe as kërkesa për konsum”, ka pohuar Tratler.

Nga ana tjetër, ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje rreth grafikut të ujit për zonën e Plazhit, gjë që do të thotë se edhe këtë vit banorët, por edhe pushuesit duhet të rrinë ditë e natë në pritje të ujit.

Sipas menaxherit, deri në fillim të sezonit do të përfundojë shtrimi i një tubi 200 mm dhe një tubi tjetër 300 mm për të përmirësuar furnizimin me ujë të lagjeve, që nuk kanë patur ujë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›