Berlusconi e humb Milanon

Koalicioni i Kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi, ka pësuar një humbje poshtëruese, ndërsa kandidatët që ai përkrahu humbën në zgjedhjet për kryetar të bashkive në Milano dhe Napoli.
Avokati i krahut të majtë, Juliano Pisapia, mundi Leticia Morati të Partisë së Berlusconit, Populli i Lirë, në balotazh për kryetar të bashkisë së Milanos, duke fituar 55 për qind të votave. Kjo është hera e parë në 20 vjet, që krahu i majtë kontrollon Milanon, qyteti i Berlusconit dhe kryeqyteti financiar i vendit.
Në Napoli, ish-prokurori Luigi De Maggistris, fitoi 65 për qind të votave në krahasim me 35 për qind për aleatin e Berlusconit, Gianni Letieri.
Berlusconi, i cili fillimisht nuk e komentoi rezultatin, ka thyer heshtjen më pas duke pranuar dështimin.
"Kemi humbur, kjo është e dukshme", por ka shtuar se e vetmja rrugë është ruajtja e qetësisë dhe ecja përpara.