E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gedafi pranon udherrefyesin e UA. Kundershton Keshilli Kombetar i Tranzicionit

Kriza në Libi duket sërish larg zgjidhjes. Gedafi është shprehur i gatshëm të verë në praktikë udhërrëfyesin e propozuar nga Unioni Afrikan. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti afrikanojugor Jacob Zuma pas takimit me kolonelin një ditë më parë. “I vetmi kusht i vendosur tani nga lideri i Libisë është armëpushimi i menjëhershëm” tha Zuma që gjithashtu e bëri të qartë se koloneli nuk  kishte  përmendur largimin e tij nga pushteti. 
Udhërrëfyesi i Unionit Afrikan është hedhur poshtë nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Bengasi që nuk do të negociojë asnjë marrveshje nëse Gedafi dhe familja e tij do të qëndrojnë në pushtet.

“Qasja e komunitetit ndërkombëtar ka ndryshuar” ka deklaruar Fathi Baja, ministër i jashtëm në qeverinë e tranzicionit të rebelëve. “Tani nuk bëhet më fjalë për iniciativa  politike sepse pjesa më e madhe e vendeve ështët dakort që Gedafi të largohet nga pushteti. Ky është për ne ndryshimi i vërtetë”- citohet  Fathi Baja duke iu referuar Rusisë që është më i fundit i shteteve që kërkon largimin nga pushteti të kolonelit. 

E ndërkohë rrebeshi i sulmeve të NATO-s mbi Tripoli nuk ndalet. Shpërthime janë dëgjuar mbi kryeqytet deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa nga ana tjetër e vendit në Bengasi, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit bëri të ditur se fraksioni ushtarak do të  quhet Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›