E Shtunë, 31 Tetor 2026

Christine Lagarde kërkon mbështetje

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 12:02

Ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, ndodhet në Brazil, për t’u kërkuar ekonomive me zhvillim të hovshëm që ta mbështesin kandidaturën e saj për shefe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

55-vjeçarja Lagarde ka tashmë përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian. Vizita e Lagarde në Brazil është e para në kuadër të një turneu botëror, që pritet të vazhdojë me udhëtime në Indi, Kinë dhe disa vende afrikane.

Zyrtarët brazilianë nuk kanë deklaruar mbështetje për asnjë kandidat, por kanë theksuar se kreu i ardhshëm i FMN-së duhet të zgjidhet me meritë, e jo në baza gjeografike.

Qytetarët evropianë kanë mbajtur postin e drejtorit menaxhues të FMN-së, sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, që përcakton që një amerikan të udhëheqë Bankën Botërore.

Kundërshtari i vetëm i Lagarde deri tani është guvernatori i Bankës Qendrore të Meksikës, Agustin Karstens, i cili shkon në Brazil, të mërkurën për të fituar përkrahje për kandidaturën së tij.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Geithner, i ka quajtur të dy, Lagardën dhe Karstensin, kandidatë “të besueshëm” dhe “të talentuar” për postin.

Ish-kreu i FMN-së, francezi Dominique Strauss Kahn, dha dorëheqje më herët këtë muaj, pas ndalimit të tij në New York, nën akuzat për sulm seksual.

FMN-ja pritet të shpallë kandidatët për postin më të lartë deri më 17 qershor dhe përzgjedhja përfundimtare do të bëhet deri më 30 qershor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›