Berlusconi po qendron në vilën e Milanos
Kryeministri italian Silvio Berlusconi pas largimit nga spitali po qëndron në rezidencën e tij në Arcore, të Milanos. Presidenti i Këshillit të Ministrave u lejua nga mjekët e spitalit San Raffaele të largohej prej andej, pasi konstatuan se nuk ishte më i nevojshëm qëndrimi në këto ambiente dhe pasi Berlusconi i kaloi orët e fundit pa dhembje.
Pas daljes nga spitalit, Berlusconi shkoi tek stomatologu i tij në Milano për një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e gojës ku iu thyen dy dhëmbë gjatë sulmit të së dielës kur u godit nga një 42 vjeçar me një suvenir në sheshin Duomo. Mjekët lejuan largimin e Berlusconit një ditë më vonë se ç'ishte parashikuar pasi ai pati probleme në konsumimin e ushqimeve dhe nuk mund të ushqehej normalisht. Berlusconit i është ndaluar gjithashtu të ndërmarë aktivitete publike për dy javë. Shefi i qeverisë italiane, u godit në fytyrë gjatë një mitingu në Milano, nga një njeri që manifestonte probleme mendore. Italia është shokuar nga ky sulm i ditëve më parë, jo vetëm në radhët e politikanëve, por edhe në të gjithë popullin, duke iu trembur faktit se vendi po rrezikon rikthimin e dhunës politike që përgjaku vendin në 1970.